(Ilustrim)

Serbi i arrestuar dyshohet për krime lufte në rrethinën e Pejës

Një qytetar i komunitetit serb është arrestuar së fundi nga njësiti hetimor i krimeve të luftës për shkak të dyshimeve se ka kryer krime ndaj popullatës civile në Kosovë.

I arrestuari i moshës 54 vjeçare ishte me vendbanim në Komunën e Istogut ku edhe ishte arrestuar pas dyshimeve që rëndonin mbi të.

Kryeprokurori special, Blerim Isufaj ka thënë për KALLXO.com se i arrestuari dyshohet se këto krime ndaj popullatës civile i ka kryer në rrethin e Pejës.

“I dyshuari është nga Istogu i lindur në vitin 1968, krimet dyshohet se janë kryer në rrethin e Pejës”, ka thënë kryeprokurori special Blerim Isufaj.

Këto krime sipas të dhënave të deritanishme dyshohet se janë kryer në periudhën 1998-1999.

Ndërsa sipas njoftimit të raportit policor, i dyshuari u arrestua mbrëmë në fshatin Gurakoc të Komunës së Istogut.

“Fsh. Gurakoc, Istog  mars-maj 1998 Pas një pune hetimore të kryer nga njësia e Hetimeve të Krimeve të Luftës është identifikuar dhe arrestuar i kërkuari mashkull serb për krime lufte të kryera ndaj popullatës civile në Kosove në periudhën gjatë viteve 1998-1999. I njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.