Foto: Policia e Kosovës

Sekuestrohen mjete të rrezikshme në Mitrovicë e Veriut, dyshohet se do përdoreshin për të sulmuar Policinë

Policia e Kosovës njofton se në Mitrovicë të Veriut ka sekuestruar mjete të rrezikshme që dyshohet se do të mund të përdoreshin për sulme ndaj Policisë duke rrezikuar jetën e policëve dhe qytetarëve.

Në një komunikatë për media, Policia thotë se sot në orët e hershme ka pranuar informacione nga qytetarët lidhur me fshehjen e disa pajisjeve të dyshuara të rrezikshme.

“Në këtë fushëveprim gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve zyrtare në funksion të ruajtjes së rendit dhe parandalimit të veprave penale në rajonin Mitrovicë – veri, Lagjia e boshnjakëve, përballë shkollës së mesme teknike, Policia e Kosovës sot në orët e hershme ka pranuar informacione të rëndësishme nga qytetarët lidhur me fshehjen e disa gjërvae (pajisjeve të rrezikshme) të dyshuara që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo të paraqesin rrezik potencial për përdorimin e tyre edhe ndaj personelit policor, si dhe pengimin në realizimin e detyrave ligjore” – thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se Policia ka realizuar një operacion kontrolli në Lagjen e boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut dhe kanë gjetur tela gjemborë, bomba tymosëse dhe një uniformë që sipas policisë, është e ngjashme me uniformat që janë përdorur nga grupi terrorist në Banjskë në shtator të këtij viti.

“Njësitet kompetente policore bazuar në informacione relevante pranuar nga qytetarët kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative, me ç’rast në lagjen e boshnjakëve në Mitrovicë veri, kanë realizuar një operacion kontrolli dhe aty kanë gjetur: tela gjemborë të improvizuar (iriqë), bomba tymosëse, municion dhe uniformë. Vlen të potencohet se uniforma e gjetur sot është e ngjashme me uniformat që janë përdorur nga grupi terrorist në Banjskë në shtator të këtij viti” – thekson PK.

Policia thotë se veprimet operacionale në terren po vazhdojnë me qëllim të identifikimit të mjeteve tjera të dyshuara në mënyrë që të parandalohet rrezikimi nga to, i qytetarëve apo të parandalohet ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës që po punojnë për ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë.

Në orët e para të 24 shtatorit një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Hetimet e forcave të Policisë së Kosovës kishin zbuluar në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, doli publikisht përmes avokatit të tij e tha se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë. E ai tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.