Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit
Seanca gjyqësore për njërin nga të dyshuarit për përfshirje në grupin terrorist u mbajt në QKUK
Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për Vlladimir Toniq, i dyshuar si pjesëmarrës në grupin e armatosur terrorist.
Lidhur me kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë, seanca dëgjimore tashmë ka përfunduar.
Siç mëson KALLXO.com, seanca dëgjimore për të dyshuarin e lartcekur është mbajtur në hapësirat e spitalit të Qendrës Klinike Universitare, pasi i dyshuari është plagosur në ngjarjet e djeshme në zonën e Zveçanit.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Lidhur me këtë kërkesë pritet të vendosë Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës.
“Gjykata pas përfundimit të seancës do të marrë vendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”- tha Gashi për KALLXO.com.
Kurse seanca dëgjimore për dy persona të tjerë të dyshuar se janë përfshirë në këtë rast pritet të mbahet nesër.
Prokurori i shtetit, Naim Abazi, që po heton sulmin e djeshëm terrorist gjatë ditës kishte thënë për KALLXO.com se përveç armatimit, janë gjetur edhe gjëra të tjera që janë të rëndësishme për procedurat hetimore.
“Përveç armatimit janë gjetur edhe sende të tjera që janë shumë të rëndësishme” – kishte thënë prokurori Naim Abazi, i cili është në krye të hetimeve në rastin e sulmit terrorist në veri të Kosovës.
I njëjti kishte konfirmuar se ka informata për disa vende të cilat Policia po i identifikon me dyshimet se ka arsenal armësh.
Për përmbajtjen e këtyre gjetjeve, prokurori nuk dha më shumë informacion.
“Kemi informata për disa vende të cilat Policia janë duke bërë identifikime e pastaj lokalizimin e atyre vendeve. Nuk mundem me dhanë detaje më shumë se është e ndjeshme e nuk munden me u prishë provat” – kishte thënë prokurori Abazi për KALLXO.com.
Ndërkaq lidhur me arrestimet, Abazi kishte thënë se nuk ka persona të tjerë të arrestuar lidhur me këtë rast përveç atyre që janë të ditur deri më tani.
“Aktualisht nuk ka ndonjë person tjetër të arrestuar” – shtoi tutje ai.
Prokuroria Speciale dje kishte konfirmuar se janë ndaluar gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, të ndaluarit ishin dërguar në mbajtje për 48 orë.
Po ashtu, nga aksioni i djeshëm i Policisë së Kosovës, thuhet se janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.
Sipas Prokurorisë, ata po dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, ’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues ishin vrarë dhe gjashtë të tjerë ishin arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit