Sami Lushtaku sfidon masat kundër COVID-19, mbledhë dhjetëra qytetarë pa maska e distancë (FOTO)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtaku ka vazhduar edhe sot tubimet parazgjedhore në lagjen Hoxha të fshatit Kllodernicë, duke mbledhur disa dhjetra qytetarë.

Në fotografitë e publikuara nga Lushtaku shihet se personat e mbledhur nuk kanë respektuar masat kundër COVID-19 të vendosura nga Qeveria Kurti, duke mos vendosur maskën dhe siguruar distancë prej 1.5 metra.

“Sot në lagjen Hoxha të Kllodernicës u mirëpritëm nga shumë qytetarë vendas. Para tyre shpalosëm platformën e PDK-së për zhvillimin e kësaj pjese dhe të Skenderajt në përgjithësi.  I falënderoj përzemërsisht për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PDK-së!”, ka shkruar Lushtaku në facebook.

Sipas vendimit të qeverisë, në ambiente të jashtme lejohen grumbullimet deri në 50 persona, por duhet të sigurohet distanca prej 1.5 metra në mes të personave.

Në vendim lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.

KALLXO.com ka raportuar se Sami Lushtaku ka mbajtur tubim edhe mbrëmë në Prekas të Skenderajt duke mbledhur qindra simpatizant të PDK-së.

Por Policia e Kosovës nuk e ka ndëshkuar atë për këtë tubim.

Policia e rajonit të Mitrovicës kanë deklaruar se forcat e rendit kishin dalur në vendin e ngjarjes, por që në ato momente nuk po mbahej tubimi.

Më pas, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, thotë se policët u informuan nga mediat për tubimin e Sami Lushtakut.

Lushtaku ishte kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka pamundësuar Sami Lushtakut kandidimin për kryetar të Skenderajt për shkak të dy dënimeve të formës së prerë në periudhën brenda 3 viteve të fundit.

Përderisa vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 728 qytetetarë janë gjobitur për mosrespektim të masave anti COVID-19.

KALLXO.com raportoi të dielën edhe për tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka thënë sot për KALLXO.com se po e trajtojnë këtë informacion.

20 të vdekur dhe 932 raste të reja më COVID-19