Foto: REL

Maqedoni e Veriut, së shpejti në kafene vetëm me dy doza të vaksinës COVID

Interesimi i qytetarëve për tu vaksinuar kundër virusit korona është ulur dukshëm. Ka tetë muaj që kur nisi procesi i imunizimit në Maqedoninë e Veriut, e që atëherë janë vaksinuar vetëm 35% e popullsisë së përgjithshme. E ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, para dy muajve pati thënë se deri kah mesi i tetorit pret që diku një milion banorë të jenë imunizuar plotësisht.

“Nëse vazhdojmë me këtë ritëm të vaksinimit, tani kemi edhe një kapacitet sallën e vogël Boris Trajkovskit. Unë besoj se deri në mes të tetorit, diku kah 15 tetori, imuniteti kolektiv do të rritet edhe më shumë dhe ne mund të arrijmë në një milion qytetarë që do të vaksinohen, e kjo është që përqindje serioze që përfshin rreth 70% të qytetarëve të moshës madhore, që është shumë e rëndësishme”, deklaroi Filipçe më 23.08.2021.

Se ka rënë interesimi për tu vaksinuar e pranoi edhe ministri Filipçe, por ai nuk konkretizoi se cilat janë hapat që do t’i ndërmerr në vazhdim për ta përmirësuar nivelin e vaksinimit. I pari i Shëndetësisë tha se do të vazhdojë me fushatë dhe se pas dy javësh qytetarët nëpër objekte hotelierike do të mund të hyjnë vetëm me dy doza, apo vaksinim të plotë antiCOVID.

“Ajo çfarë kemi vërejtur është se çdo fillim, qoftë ai i fushatës ose rekomandim i ndonjë mase, e rrit numrin e aplikimeve për vaksinim. Në këtë aspekt përveç kësaj mase që do të propozohet, me siguri do të azhurnojmë përsëri apo do të potencojmë një nga fushatat që tani po përgatitet. Sepse besoj se po bëhet gjithnjë më e qartë edhe për qytetarët, se cili është efekti nga vaksinimi. E kjo është se edhe aty ku ka të infektuar, spitalet nuk ngarkohen”, tha Filipçe.

Ndryshe fushata “Vaksinohu” që u bë për vetëdijesimin e qytetarëve për tu imunizuar, ka kushtuar rreth 300 mijë euro. Autoritetet kanë bërë me dije se zgjidhja e vetme për të shpëtuar nga COVID-19 është vaksinimi e për tu arritur imuniteti kolektiv në vendin tonë duhet të vaksinohen diku 90% e popullsisë së përgjithshme. Autoritetet shëndetësore presin një valë të re të COVID-19, por ministri nuk pret eskalim të situatës, gjegjësisht ndonjë valë të fortë./TV21