Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ nuk e certifikoi, por Lushtaku thotë se do të jetë në krye të qeverisjes së Skenderajt

Përmes një video – incizimi, ish kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku i është drejtuar qytetarëve të kësaj komune.

Ai nuk do të mund të kandidoj për kryetar të komunës së Skenderajt pasi që është i dënuar me vendim të formës së prerë dy herë brenda tre viteve.

Lushtaku thotë se është ballafaquar me presion kohëve të fundit e për këtë fajin ia ka lënë Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurtit.

“Edhe në këtë zgjedhje ata prapë do të dështojnë, sepse Skenderaj është zemra e UÇK-së dhe zemra e PDK-së. PDK e Hashim Thaçit e Kadri Veselit as nuk thyhet e as nuk dorëzohet”, shprehet ai.

“Unë i sigurojë qytetarët se me besimin e tyre me 17 tetor për PDK-në unë do të jem në krye të qeverisë se Skenderajt. Skenderaj dhe PDK janë rritur e zhvilluar së bashku”, vazhdon tutje ai.

Ish kryetari i Skenderajt thotë se për kandidaturën e tij ka marrë përkrahje nga qytetarët e Skenderajt.

Gjykata Supreme e Kosovës i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.

Ai me vendimin e Gjykatës së Prishtinës në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.

Sami Lushtaku është dënuar dy herë brenda tre viteve të fundit për dy vepra penale.

Dënimi i parë i marrë ndaj tij është bërë në prillin e vitit të kaluar ku u dënua me 12 mijë euro gjobë për arratisjen nga “Burgu i Dubravës”, ndërsa i fundit në tetor të vitit të kaluar për kanosjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj.

Të dy këto vendime janë bërë të plotfuqishme pasi janë vërtetuar nga instancat më të larta.

Për të parin ka vendosur edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e cila dënimin prej 12 mijë euro e konsideroj si të drejtë, përderisa dënimi i dytë prej 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit u vërtetua nga Gjykata e Apelit.