Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rastet me COVID-19, MSh: Ka filluar të rritet ngarkesa spitalore

Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje që të respektohen masat e vendosura kundër COVID-19  më 30 prill 2022, për shkak të rritjes së infektimeve ditëve të fundit.

Gjithashtu në thirrjen e MSh-së bëhet thirrje edhe për marrjen e dozës së katërt, tashmë të lejuar për personat mbi 60 vjeç, të cilat e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më parë.

Përveç thirrjeve për qytetarët, MSh ka kërkuar edhe nga institucionet publike dhe private, veprimtaritë ekonomike, në veçanti sektorit të gastronomisë, sektorëve të kulturës, sportit si dhe të gjitha veprimtarive të tjera, që të zbatojnë masën në fuqi që të punësuarve, klientëve dhe pjesëmarrësve në aktivitete dhe veprimtari përkatëse, t’u kërkohet dëshmia e marrjes së dy dozave të vaksinës kundër COVID-19, përveç personave nën moshën 16 vjeç dhe personave të liruar nga vaksinimi sipas kundër-indikacioneve për vaksinim me dëshmi të mjekut.

“Si pasojë e rritjes së rasteve të COVID-19, ka filluar të rritet edhe ngarkesa spitalore, prandaj Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me tre nivelet e kujdesit shëndetësor do të rris nivelin e mobilizimit dhe fuqizimit të kapaciteteve për t’iu përgjigjur kësaj situate. Gjithashtu, do të fuqizohet edhe bashkëpunimi me komunat dhe shtabet emergjente komunale”, thuhet në thirrjen e Ministrisë.

MSh ka kërkuar nga institucionet që të mbikëqyrin zbatimin e masave në fuqi dhe të rrisin aktivitetet e tyre.

Ministria e Shëndetësisë, sipas masave në fuqi, u rekomandon qytetarëve bartjen e maskave mbrojtëse në hapësira të brendshme si dhe vaksinimin me dozat e vaksinës sipas grup-moshave të lejuara për vaksinim, duke shtuar se ndryshimi eventual i masave në fuqi, do të mund të bëhet sipas rekomandimeve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, në varësi të situatës epidemiologjike dhe projeksioneve rreth zhvillimit të saj.

Në Kosovë, aktualisht janë mbi 1,600 raste aktive me COVID-19.