Policia nuk e gjobit Sami Lushtakun që tuboi qindra njerëz

Policia e Kosovës nuk e ka ndëshkuar kryetarin e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtakun, pasi mbajti të dielën në mbrëmje një tubim me qindra simpatizues në një hapësirë jashtë, në fshatin Qirez të Skenderajt.

Policia e rajonit të Mitrovicës kanë deklaruar se forcat e rendit kishin dalur në vendin e ngjarjes, por që në ato momente nuk po mbahej tubimi.

Më pas, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, thotë se policët u informuan nga mediat për tubimin e Sami Lushtakut.

Sipas Prekazit, ata nuk kanë mundur ta gjobisin Lushtakun pasi që masat që kanë qenë në fuqi deri sot (30 gusht), nuk e kanë kufizuar numrin e njerëzve në hapësira të jashtme.

“Policia pasi ka marrë informatë qe është duke u mbajtur një tubim te shkolla në Qirez të Skenderajt, ka shkuar për inspektim të gjendjes, por s’ka pasë masë të madhe të njerëzve aty, në atë kohë nuk është mbajtë tubimi. Mandej janë kthyer policët kanë vazhduar me detyrat e tyre. Tek më vonë është kuptuar që tubimi është mbajtë, është kuptu prej mediave. Mirëpo nuk është marrë masa pasi vendimi i Qeverisë, 12.08.2021 vendimi 01/25 shprehimisht nuk e ndalon tubimin në hapësirat e jashtme, masat e reja që kanë hyrë sot në fuqi e ndalojnë, tubimi është mbajtë dje”, u shpreh Prekazi për KALLXO.com

Ai thotë se Policia mundet t’i gjobisë qytetarët që nuk kanë vendosur maskë nëse arrihen të identifikohen.

“Policia mundet me marrë masa në bazë të fotografive qe nuk kanë mbajtur maska nese arrihen me u identifiku e me u gjobit si qytetarët tjerë, por për subjektin që e ka organizu nuk mundemi sepse nuk kemi bazë ligjore”, u shpreh tutje zyrtari policor.

Sipas vendimit të qeverisë, në ambiente të jashtme lejohen grumbullimet deri në 50 persona, por duhet të sigurohet distanca prej 1.5 metra në mes të personave.

Në vendim lejohen grumbullimet dhe ngjarjet kulturore në ambiente të jashtme deri në 50 persona (publiku). Organizatori obligohet të sigurojë mbajtjen e distancës fizike prej 1.5 metër në mes të personave.

Shumica në tubimin me Lushtakun u panë pa maska, e disa nuk respektuan as distancën sociale.

Përderisa vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 728 qytetetarë janë gjobitur për mosrespektim të masave anti COVID-19.

KALLXO.com raportoi të dielën edhe për tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka thënë sot për KALLXO.com se po e trajtojnë këtë informacion.