Sa shtëpi kanë marrë grante për efiçiencë të energjisë?

Drejtori i Programit për Energji në Fondacionin e Mijëvjeçarit të Kosovës, Burim Hashani, ka thënë se deri më tani 700 shtëpi individuale kanë marrë grante për masat e efiçiencës.

Sipas tij, projekti i këtij Fondacioni, që do të përfundojë në shtator ka paraparë renovimin e 1 mijë shtëpive.

Në emisionin e “Kallxo Përnime” ku u fol për “Uljen e faturave të rrymës”, Hashani ka treguar se ky projekt ka kapur vlerën e mbi 30 milionë dollarëve.

“Për objekte private, ne e kemi zbatu një plan shumë të madh për këto objekte, projekt mbi 30 milionë dollarë. Rreth 1 mijë shtëpi individuale kanë marrë grante për renovim, për masa të efiçiencës ku përfshihen masat prioritare, siç janë izolimi i jashtëm, dritaret, izolimi i kulmit dhe i dyshemesë”, ka thënë ai.

Hashani ka treguar se lidhur me punën e bërë në renovimin e shtëpive, për të pas se a i kanë kryer kompanitë siç duhet obligimet e tyre është krijuar një sistem notimi, i cili është publik.

“E kemi kriju një sistem të notimit, pas çdo intervenimi e kemi kry një pyetësor me pa se sa janë të kënaqur me punën, tash e kemi listën e instalueseve të kualifikuar me notim anash. Lista e notimit është në faqen tone zyrtare ku shihet lista e kompanive”, ka thënë Hashani.

Ai tutje ka treguar se Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës ka kryer punuar edhe në objekte shumë banesor.

Hashani a thënë se deri më tash kanë bashkëpunuar me gjashtë komuna për 26 banesa.

“Për objekte shumë banesore, me gjashtë komuna kemi bashkëpunu me 26 objekte. Kemi kry punë në Novobërdë, në Lipjan dhe jemi duke punu në Prishtinë, Mitrovicë, Viti dhe Gjakovë”, ka treguar ai.

Pas shtatorit, kur edhe do të përfundojë projekti i këtij fondacioni, Hashani ka thënë se kanë nënshkruar një marrëveshje me Fondin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë.

Përmes kësaj marrëveshje është planifikuar të barten të gjitha materialet dhe dokumentacioni tek FKEE, me qëllim që këtyre të fundit t’iu lehtësohet puna në të ardhmen.