Nesër përfundon afati për blerjen e paisjeve për ngrohje që subvencionohen nga Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se nesër më 9 dhjetor në ora 23:59, përfundon afati për blerjen e pajisjeve për ngrohje, që subvencionohen nga kjo ministri.

Sipas njoftimit, në fazën e dytë për subvencion kanë të drejtë aplikimi të gjithë aplikuesit që i janë plotësuar kriteret dhe janë kualifikuar nga faza e parë.

Sqarimet shtesë të ministrisë:

Faza II

Pas kualifikimit në Fazën e parë qytetarët duhet të blejnë pajisjen e përzgjedhur sipas kritereve të specifikuara në thirrje, dhe më pas mund të aplikojnë për Fazën II përmes platformës e-Kosova që t’ju mundësohet përfitimi nga ky subvencion, duke ngarkuar dokumentet në vijim:

  1. Faturën e rregullt apo kuponin fiskal të blerjes së pajisjes (fatura duhet të jetë jo më e vjetër se nga data e shpalljes së thirrjes së parë të datës 06.10.2022);
  2. Vërtetimin e xhirollogarisë bankare apo kopjen e kartelës bankare;
  3. Fotografi të pajisjes së blerë ose instaluar sipas kritereve të specifikuara në thirrje (pajisja duhet të jetë e instaluar dhe e gatshme për inspektim nga data 10.01.2023);
  4. Fotografi të numrit serik të pajisjes;
  5. Fotografi të etiketës së performancës së pajisjes (opsionale për stufa individuale me biomasë);
  6. Për nënat vetushqyese për përfitim të subvencionit prej 90% për stufën individuale me biomasë dhe 60% për pompën termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente) kërkohet të ngarkohet një dëshmi që konfirmon statusin e nënës vetushqyese.
  7. Marrëveshja për Subvencionim duhet të shkarkohet në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë, e cila pas plotësimit në mënyrë elektronike (direkt në dokument në hapësirat e hijezuara) duhet të ngarkohet nga ana e Palës në platformën e-Kosova në formatin (PDF), në kuadër të Fazës II të aplikimit. Marrëveshjen mund ta gjeni në këtë link: https://me.rks-gov.net/sq/shpallje

Faza II – Aplikimi nga përfituesit e skemës sociale (kategoria I & II)

Për aplikuesit që janë përfitues të skemës sociale (kategoria I & II), faza II është e ndarë në dy hapa:

Hapi 1: Aplikanti duhet të ngarkojë në platformën e-Kosova, dokumentet në vijim:

  1. Profatura – do të mundësohet vetëm për stufat individuale me biomasë dhe pompën termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente);
  2. Vërtetimin e xhirollogarisë bankare apo kopjen e kartelës bankare;
  3. Dëshmi që vërteton mbështetjen e skemës sociale (kategoria I & II).

Për përfituresit e skemës sociale, ME do të transferojë mjetet financiare të subvencionit para blerjes apo instalimit së Stufës individuale me biomasë ose Pompës termike ajër-ajër inverter (kondicioner/ klimë efiçiente).

Hapi 2: Pas pranimit të subvencionit dhe blerjes së pajisjes duhet të përcjellen përmes email adresës: [email protected] dokumentet në vijim:

  1. Faturën e rregullt apo kuponin fiskal të blerjes së pajisjes (fatura duhet të jetë jo më e vjetër se nga data e shpalljes së thirrjes së parë të datës 06.10.2022);
  2. Fotografi të pajisjes së blerë ose instaluar sipas kritereve të specifikuara në Thirrje; (pajisja duhet të jetë e instaluar dhe e gatshme për inspektim nga data 10.01.2023);
  3. Fotografi të numrit serik të pajisjes;
  4. Fotografi të etiketës së performancës së pajisjes (opsionale për stufa individuale me biomasë).

Ministria e Ekonomisë fton të gjithë qytetarët që janë parakualifikuar në Fazën e I-rë, që brenda afatit të përfundojnë të gjitha procedurat e cekura më lartë dhe në thirrjen publike në mënyrë që të jenë përfitues të subvencionit.

Që nga viti 2021, kriza energjetike nëpër të cilën po kalon Evropa ka përkeqësuar situatën me furnizim të qëndrueshëm me energji edhe për qytetarët e Kosovës.

“Mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme të prodhimit të brendshëm të energjisë, varësia nga importi e rritja enorme e çmimeve të energjisë në tregun ndërkombëtar vështirëson edhe më tej situatën, duke shkaktuar jo vetëm reduktime të shpeshta të energjisë, por edhe rënie të tensionit dhe probleme tjera të rrjetit” – thuhej në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë gjatë publikimit të thirrjes për subvencionim të publikuar në tetor.

Subvencionimi i efiçiencës së energjisë përmes kësaj thirrje ju mundëson qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në: reduktimin e kërkesës për energji/ energji elektrike dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë.

Afati për fazën e parë të subvencionimit ishte mbyllur më 20 tetor 2022.