RTK gjobitet me 1,500 euro gjobë për shkelje të Ligjit të punës, drejtori Ahmetxhekaj ende s'e ka lexuar vendimin

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës (SPRTK) ka bërë të ditur se Inspektorati i Punës e ka gjobitur televizionin publik me 1,500 euro gjobë për shkelje të Ligjit të punës në një konkurs.

Sipas Sindikatës, kjo ka ndodhur për ‘shkak të procedurave te paligjshme të cilat tani më janë bërë përditshmëri nga drejtuesit e RTK-së’.

Tutje Sindikata e RTK-së është shprehur e shqetësuar me zhvillimet brenda televizionit publik.

“Çuditërisht për gjithë këtë dëm financiar që po i bëhet Transmetuesit Publik askush nga përgjegjësit e tij deri më tani nuk ka dhënë përgjegjësi. Sindikata e Pavarur e RTK-së është jashtëzakonisht e shqetësuar nga këto veprime të drejtuesve të RTK-së të cilat po e çojnë Transmetuesin Publik drejt kolapsit financiar”- thuhet tutje në postimin në Facebook.

Sindikata ka shprehur pakënaqësinë edhe për kushtet në të cilat punojnë punëtorët e televizionit publik.

“Të punësuarit e RTK-së po përballen me kushte të tmerrshme të punës, prej mungesës në këto temperatura ekstremisht të larta të klimatizimit, e deri te mungesa e karrigeve”- thuhet tutje aty.

Sipas Sindikatës, gjoba të tilla janë bërë pothuajse përditshmëri në RTK.

“Derisa drejtuesit e RTK-së ankohen se këto nevoja elementare të punës nuk po mund t’i plotësojnë për shkak të mungesës së buxhetit, gjobat për shkak të veprimeve të paligjshme të tyre janë bëre pothuajse përditshmëri në RTK”- thuhet tutje aty.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, për të marrë qëndrimin e tij në lidhje me këtë gjobë të Inspektoratit, mirëpo ai ka thënë se ende nuk e ka lexuar vendimin.

“Unë në fund të orarit të punës sot jam njoftuar me faktin që ka ardhur një vendim nga Inspektorati i Punës, për të cilin kam kërkuar që nesër me pasë një raport të detajuar në mëngjes, me diskutu me përgjegjësit dhe me pa si është dhe në çfarë forme ne mundemi me e ankimu. Inspektorati ka dërgu një vendim që unë hala nuk e kam lexu sepse kam pasur edhe angazhime të tjera”- ka thënë tutje ai.