Pelet, ilustrim: Pixabay
Rritja e çmimit të peletit, Autoriteti i Konkurrencës del me reagim
Autoriteti i Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka njoftuar se është duke monitoruar nga afër lëvizjet e çmimeve të peletit, pas informatave për rritjen e vazhdueshme të çmimit të këtij produkti në tregun vendor.
Sipas AKK-së, bazuar në të dhënat e mbledhura nga tregu dhe trendët e identifikuara, rritja aktuale e çmimeve i atribuohet kryesisht faktorëve objektivë të tregut dhe jo shkeljeve të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Autoriteti vlerëson se rritja sezonale e kërkesës me afrimin e sezonit të ngrohjes, rritja e kostove të furnizimit dhe importit, çmimet në tregjet evropiane dhe rajonale, mungesa relative e lëndës së parë, kostot e transportit dhe magazinimit, si dhe zhvillimet në tregun e energjisë dhe politikat publike që mbështesin përdorimin e biomasës dhe tranzicionin energjetik, janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve.
Nga aspekti ligjor, AKK thekson se rritja e çmimeve në vetvete nuk përbën shkelje të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, përderisa ajo buron nga faktorë objektivë të tregut dhe jo nga marrëveshje të ndaluara ndërmjet ndërmarrjeve apo nga keqpërdorimi i pozitës dominuese.
Autoriteti ka bërë të ditur se ka identifikuar ekzistencën e një ndërmarrjeje me pjesëmarrje të konsiderueshme në importin e peletit ndër vite, e cila konsiderohet se ka pozitë dominuese në treg dhe mbetet nën mbikëqyrje të shtuar.
Sipas AKK-së, pas një stabilizimi relativ të çmimeve gjatë viteve 2023–2024 dhe fillimit të vitit 2025, nga tremujori i tretë i vitit 2025 janë evidentuar sinjale për rritje të çmimeve të shitjes së peletit në tregun vendor.
AKK bën të ditur se në Kosovë janë mbi 10 kompani që importojnë pelet, mirëpo katër kompanitë më të mëdha përbëjnë mbi 70 për qind të tregut të importit. Sipas të dhënave, mbi 90 për qind e sasisë totale të peletit importohet nga Mali i Zi, ndërsa pjesa tjetër nga shtete të tjera.
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se është duke analizuar në mënyrë të vazhdueshme sjelljen e ndërmarrjes me pozitë dominuese gjatë vitit 2025, përfshirë politikat e çmimeve, kushtet e shitjes, shpërndarjen në treg dhe çdo praktikë të mundshme që mund të kufizojë konkurrencën.
Nëse krijohen elemente të mjaftueshme ligjore dhe faktike, AKK paralajmëron se do të ndërmarrë hapat proceduralë përkatës dhe do të nisë procedurë hetimore për abuzim me pozitën dominuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi.