BQK

Rregullorja për valutën, BQK-ja lëshon në funksion linjën telefonike pa pagesë për komunitetin serb

Banka Qendrore e Kosovës ka lëshuar në funksion linjën telefonike pa pagesë – 0800 222-55, me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese pas miratimit të rregullores për operacionet me para të gatshme

Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht, ka bërë të ditur BQK-ja.

BQK-ja ka ritheksuar se rregullorja nuk ndalon transferet nga asnjë shtet; nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara si dhe nuk ndalon posedimin dhe kursimin ne asnjë valute jo-Euro (përfshirë Dinarin).

“Qytetarët që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”- thuhet në njoftimin e BQK-së.

Banka Qendrore e Kosovës ka deklaruar se vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

“Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”- thekson BQK.

Zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndër të tjera parasheh që monedha e vetme e ligjshme për pagesa në Kosovë euro, ka ngjallur reagime të ndryshme.

Diplomatët perëndimorë dhe organizata e institucione të ndryshme po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e Rregullores së BQK-së, e cila ka nisur të zbatohet nga 1 shkurti.

Kryeministri Kurti është ‘pajtuar’ për një periudhë tranzicioni.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq përmes një konference bëri të ditur se personave që nuk kanë llogari bankare do t’iu mundësohet që të hapin pa pagesë xhirollogari.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bisilimi deklaroi të mërkurën se Banka e Serbisë ka dërguar një kamion me 117 milionë dinarë serbë drejt Kosovës, por që është kthyer nga doganierët në Kosovë.

Guvernatori Ismaili: Ju siguroj se vendimi i BQK-së për ndalimin e dinarit nuk është kundër ndonjë popullate të caktuar

Kurti për AFP: Dinari serb nuk është “i ndaluar” në Kosovë, por vetëm euro është e ligjshme