Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rregullorja e re e brendshme e ShSKUK-së synon përmirësimin e menaxhimit përmes ndryshimit të strukturës

Rregullorja e re e brendshme e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) pritet të ndryshojë strukturën e këtij institucioni.

Struktura e deritanishme, sipas së cilës 54 njësi i raportojnë Drejtorit të Përgjithshëm është vlerësuar që vështirëson menaxhimin e institucionit. Kjo ka rezultuar edhe me performancë të dobët të institucionit, duke mos arritur as minimumin e rezultatit të pritshëm.

Me 7 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, Bordi i ShSKUK-së ka aprovuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, në mbledhjen e sotme, më 08.04.2024.

“Kjo rregullore synon të ngrisë efikasitetin dhe produktivitetin e të punësuarve duke përcaktuar qartë përgjegjësitë për llogaridhënien që do të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore të cilat ofrohen nga ShSKUK” – tha Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes.

Rregullorja, sipas tij siguron menaxhim efikas dhe strukturë funksionale, synon të rrisë cilësinë dhe të ulë kostot përmes një menaxhimi më të mirë të burimeve njerëzore.

Sipas Bardiqit, struktura e ShSKUK-së, para kësaj rregulloreje ka qenë jashtëzakonisht e shtrirë dhe nuk e ka pasur formën e piramidës ashtu siç sipas tij do duhej ta kishte.

Sipas rregullores së re, atij do t’i raportojnë direkt 20 njësi, përfshirë drejtorin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), 7 spitalet rajonale, departamentet e divizionet, Qendra për integrim, rehabilitim dhe risocializim në Shtime, qendrat e shëndetit mendor dhe shtëpitë integruese në bashkësi dhe poliklinikat specialistike stomatologjike.

Organogrami i ShSKUK-së

Para miratimit të Statutit të ri të ShSKUK-së, më 27.12.2023, QKUK nuk ka pasur fare drejtor, kështu duke bërë që të gjitha klinikat t’i raportojnë direkt drejtorit të ShSKUK-së.

Sipas këtij dokumenti, numri i të punësuarve në administratën e ShSKUK-së është 472. Ndërsa, departamentet e divizione kryesore janë të ndara si në vijim: departamenti për shërbime shëndetësore, departamenti për mbështetjen e sistemit të informimit shëndetësor, departamenti për buxhet dhe financa, departamenti për shërbime të përbashkëta, departamenti ligjor, departamenti për burime njerëzore, divizioni për prokurim publik, divizioni për komunikim me publikun dhe njësia e auditimit të brendshëm.

Anëtari i Bordit, Dren Boshnjaku kishte propozuar në mbledhjen e kaluar që ky dokument të parashihte edhe pozitën e drejtorit për shkencë. Ky propozim ishte kundërshtuar nga kryesuesi Bardiqi me arsyetimin se është e pamundur të menaxhohet me kaq shumë njësi. Ai po ashtu ka thënë se kjo çështje është dashur të ngritet përderisa rregullorja ka qenë ende në grup punues.

Në mbledhjen e sotme, Boshnjaku votoi për miratimin e rregullores edhe pa propozimin e tij. Edhe pse tha se mendon që kjo pozitë është e domosdoshme, ai tha se duke pasur parasysh rëndësinë e rregullores duhet shtyrë përpara, për të rishikuar mundësitë e draftimit të çështjes që ka ngritur.

Ky akt nënligjor është derivat i Statutit të ShSKUK-së dhe Ligjit për Shëndetësi dhe rregullon edhe koeficientët e të punësuarve në administratë.

Bordi i ShSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.