Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ShSKUK do të angazhojë ekspert të jashtëm për administratë publike dhe çështje juridike

Në mungesë të kapaciteteve brenda institucionit, Bordi i Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) ka vendosur që të angazhojë një ekspert të jashtëm për administratë publike dhe çështje juridike.

Angazhimi i këtij eksperti është rekomanduar nga Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi, me arsyetimin se nevojitet ndihmë në hartimin e akteve nënligjore. Me këtë rast, ai përmendi Statutin e Qendrës Stomatologjike Klinike Universitare të Kosovës (QSKUK) dhe Statutin e spitalit të përgjithshëm, të cilët janë në procesin e hartimit.

“Rrallë ndonjë prej zyrtarëve është bartës i hartimit të ndonjë projektligji, udhëzimi administrativ apo rregulloreje që derivojnë prej ndonjë ligji” – tha Bardiqi.

Kryesuesi tha se kërkesën e ka bazuar në nevojën për përmirësimin e cilësisë së administratës, shërbimeve shëndetësore dhe për të adresuar sfidat e tashme dhe të ardhshme të institucionit.

Për këtë ai u thirr në pikën 4 të nenit 14 të Statutit të ShSKUK-së, i cili thotë se Bordi Drejtues mund të emërojë në cilësinë e vëzhguesit ekspertë vendor ose ndërkombëtar për mbështetje.

Ndonëse disa prej anëtarëve të bordit kishin dyshimet e tyre sa i përket bazës ligjore, ky rekomandim u aprovua me të gjitha votat për nga 7 gjithsej.

Besim Demolli kërkoi që të merret mendim prej zyrës ligjore se a bëjnë diçka të duhur apo jo nëse angazhojnë këtë ekspert.

Ndërkaq, Vjollca Kadolli kujtoi se në bordin paraprak, ku ishte po ashtu anëtare, kishin marrë rekomandim nga zyra ligjore për ndërprerjen e kontratës së një eksperti që kishin të angazhuar.

E Dren Boshnjaku pyeti drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin se a ka kapacitete institucioni për t’i hartuar rregulloret.

“Jo, nuk ka kapacitete” – ishte përgjigja e Azizit.

I indinjuar nga këto dyshime, Kryesuesi tha se në bazë të këtyre që thonë anëtarët, atëherë ata kanë miratuar një statut që s’është në përputhje me legjislacionin, pasi që ai parasheh edhe angazhimin e ekspertëve.

Pavarësisht pikëpyetjeve që ngritën, në fund të gjithë anëtarët votuan pro këtij rekomandimi.

Për mënyrën e rekrutimit, nëse do të jetë përmes konkursit apo tenderit, Bardiqi tha se kjo do të vendoset nga ShSKUK.

Bordi i ShSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.