Qeveria ka miratuar projekt-statutin e ShSKUK-së, reduktohet numri i njësive përbërëse

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) do të ketë një projekt-statut të ri, i cili është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij projekt-statuti parashihet që numri i njësive përbërëse të ShSKUK-së të reduktohet vetëm në 15 njësi.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projekt-statut përcakton fushëveprimin, organizimin, organet drejtuese të drejtat dhe detyrimet, mënyrën e zgjedhjes së organeve drejtuese si dhe çështje të tjera të ndërlidhura me veprimtarinë e ShSKUK-së.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka përmendur disa mangësi dhe paqartësi në role dhe përgjegjësi brenda strukturës së ShSKUK-së.

“Meqenëse ky Shërbim është duke funksionuar nga viti 2015, në proces të zbatimit dhe rolit dhe përgjegjësisë si institucion i shërbimit publik që kryen veprimtari shëndetësore, edukative dhe kërkimore në fushën e shëndetësisë, në pajtim me legjislacionin për shëndetësi dhe legjislacionin përkatës, janë vërejtur mangësi dhe paqartësi në role dhe përgjegjësitë brenda vetë strukturës, si dhe koncentrim të të gjitha njësive në kuadër të një mekanizmi të vetëm të mbikqyrjes, siç është pozita e drejtorit të përgjithshëm, që shpesh ka ngulfatur punën menaxheriale dhe mbikqyrëse të vet institucionit” – ka theksuar ministri Vitia.

Si rezultat i një analize dhe pune të Ministrisë së Shëndetësisë, Vitia ka shtuar se janë parë disa probleme dhe tashmë janë adresuar në këtë projekt-statut të ri. 

“E këto probleme si autorizimet, detyrat dhe përgjegjësitë e njësive përbërse rregullohen me statute të cilat përgatiten nga Bordi i ShSKUK-së në bashkëpunim me njësitë përkatëse të ShSKUK-së dhe miratohen nga ministri i Shëndetësisë në pajtim me ligjin për shëndetësinë” – ka shtuar ministri Vitia.

Më tej, ministri Vitia, ka vazhduar duke thënë se funksionet e brendshme administrative dhe mëbshtetëse të ShSKUK-së, organizohen dhe kryhen nga Administrata Qendrore e vendosur në Prishtinë, e cila është përgjegjëse për të gjitha institucionet shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor të ShSKUK-së.

“Për rritjen e efikasitetit të shërbimeve administrative, Administrata qendrore mund të vendosë nënpunës të saj nëpër njësitë përbërëse të ShSKUK-së, të cilët menaxhohen nga divizionet përkatëse të Administratës Qendrore, si dhe shërbimet teknike të njësive përbërëse të ShSKUK-së organizohen dhe kryhen nga një njësi organizative në nivel divizioni, i cili mund të themelohet në çdo njësi përbërëse të ShSKUK-së” – ka thënë ai.