Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrëfime se si u manifestua ekstremizmit fetar në xhamitë e Kosovës

“U krijua një huti, një paqartësi, njerëzit kur e kryenin namazin me zë bërtisnin amin”, kështu e përshkruan ndryshimin dhe manifestimin e rrymave të reja islame të njerëzve që shkonin nëpër xhamitë e Kosovës, imami Osman Musliu.

Rrymat e reja islame që tashmë ishin frymë e re ideologjike te njerëz të ndryshëm në Kosovë, tregonin se vendi mund të përballej me një islam ekstrem që mund të dërgonte edhe deri te rreziqet e ndryshme që më vonë edhe u vërtetuan me shkuarjet e kosovarëve në zonat e luftës në Siri e Irak.

Mulla Osmani tregon se si kosovarët në xhami ndaheshin në dy grupe.

“Xhemati thojke ‘çka kanë bre hoxhë këta që po bërtasin’, hapja e këmbëve, lëshimi i mjekrës, nuk e falke synetin e xhumasë, u bënë disa ndryshime brenda xhamisë. Për shembull unë i falsha katër reqate syneti, një tjetër i falke dy, e ky në mes asnjë edhe tani thojsha a jemi vllazën, a jemi mysliman, a kemi ardhur në xhami të tre, po e pse ti po i fal katër, ky dy e ti asnjë? Edhe pastaj hynë këto biseda, rryma dhe u bë një përçarje e xhematit”, tregon Mulla Osmani.

Imami, Osman Musliu, Foto: KALLXO.com

Forma të ndryshme të faljes, kundërshtimet, ndryshimet e riteve fetare i tregon edhe drejtori i Sigurisë Publike në MPB, Mensur Hoti.

“Ajo kur bëhet e dukshme, kur kemi reagime më të mëdha nga komuniteti përgjithësisht, është forma pak ma e ndryshme e faljes në xhami, e cila pastaj fillon të kundërshtohet nga myslimanët që kanë qenë gjithmonë këtu dhe janë falë, ose i kanë kryer ritet fetare në një formë të caktuar”, thotë Hoti.

Mensur Hoti, Drejtor i Sigurisë Publike, MPB, Foto: KALLXO.comAi mandej rrëfen edhe rastet apo incidentet e para që ishin raportuar në atë kohë.

“Për shembull kur një nga besimtarët, shumica nga ta të rinj, besimtarë të rinj fillojnë që procesin ose ritualin e faljes ta kryejnë më ndryshe për nga forma”, tregon Hoti.

Lulzim Peci nga Instituti për Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) tregon se Organizatat Joqeveritare që dolën në pah pas përfundimit të luftës në Kosovë nën arsyetimin se janë organizata humanitare shfrytëzuan kosovarët në forma të ndryshme.

“Bamirësia e tyre ka qenë e kushtëzuar në forma të ndryshme, si bartja e shamisë, pjesëmarrje në shkolla kuranike, në ndërtimin e xhamive me stil komplet tjetër, me imponimin e imamëve në ato xhamia kështu që ka filluar kjo punë kryesisht, aktiviteti i tyre ka qenë i orientuar për rininë në moshë të re dhe dalëngadalë është vu edhe tharmi dhe kjo punë ka ec përpara”, thotë Peci.

Lulzim Peci, KIPRED, Foto:KALLXO.com

Fryma e re e islamit i cili po njihej si islam radikal që po manifestohej te të rinjtë u bë frikë edhe për shumë prindër.

Mulla Osmani tregon për bisedat me prindër e të rinjve.

“Ka pasur babë që ka ardh më është ankuar, më ka thanë ‘hoxhë po më shkon djali në xhami’ u tut, ka pasur prind që është gëzu. Erdh një kohë që ka pasur prind që e kanë shfaq shqetësimin që po shkon djali në xhami mos po bohet me ta, po shkon në frymën radikale. Di raste edhe për prishje bashkëshortore, ose mes babës dhe djalit pra hyri edhe brenda familjeve, moszgjatja e dorës, një far mish- mashi u bë edhe mes familjes”, tregon imami Osman Musliu.