Foto: Denis Sllovinja /Termocentral , Obiliq , Kek

Rifillon punën blloku B1, pritet të prodhojë deri 260 megavatë në orë

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është rikthyer në operim Blloku B1, pas një kohe të shkurtër të ndërprerjes së prodhimit.

Ky bllok sipas KEK-ut është duke prodhuar 210 megavatë në orë dhe pas pak pritet të arrijë kapacitetin optimal prej 260 megavatë për orë.

Kosova është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike që nga data 15 gusht.

Teksa shumë vende evropiane po përballen me krizë energjetike për shkak të çmimeve të larta, në Kosovë aktualisht dy blloqe të termocentralit ‘Kosova A’ dhe një bllok i termocentralit ‘Kosova B’ janë në prodhim, ndërsa TC B2 është në remont, i cili pritet të përfundojë në fillim të muajit shtator.

Çmimi për import të energjisë elektrike në bursën e Hungarisë sipas Ministrisë Ekonomisë aktualisht është 430 euro për MgW/h, ndërsa pritet të rritet në sezonin e dimrit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, duke kërkuar dyfishim të tarifave të energjisë.

Pas mospranimit të subvencionit të zotuar nga Qeveria në muajin shkurt të këtij viti, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës. KESCO ka propozuar dyfishim të çmimit të energjisë. Disa ditë pas kërkesës së dorëzuar nga KESCO për shtrenjtim të rrymës, Qeveria e Kosovës ka ndarë gjysmën e subvencionit të zotuar, në vlerë 41 milionë euro.

Propozimi i KESCO-s është që për konsumatorët familjarë, për bllokun 0 deri në 800 kilovatë, tarifa e lartë të jetë 12.68 centë për kilovat ndërsa tarifa e ulët të jetë 5.43 centë për kilovat.

Por nëse kalohen 800 kilovatë në muaj, për kilovatët e shpenzuar mbi këtë bllok, KESCO ka propozuar që tarifa e lartë të jetë 23.53 centë ndërsa ajo e ulët 11.09 centë për kilovat.

Ndërsa sipas tarifave të energjisë që kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt,  Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Për kategoritë e tjera, tarifat e reja të propozuara nga KESCO mund t’i gjeni KËTU.