Regjistrimi i bizneseve në "mënyrë jokushtetuese", Ministria: Janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve të ARBK-së
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thotë se ka iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve përgjegjës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe personave përgjegjës të kompanive lidhur me regjistrimet e bizneseve në mënyrë jokushtetuese.
Ndaj zyrtarëve, sipas njoftimit, janë iniciuar edhe procedura disiplinore.
Kështu ka bërë të ditur MINT përmes një njoftimi, të cilin ministrja Rozeta Hajdari po e bënte publik në konferencën për media, e cila u bojkotua nga shumica e gazetarëve të pranishëm në shenjë revolte pas vendimit të MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit “Klan Kosova”.
Ministria tregon se më 6 korrik ka themeluar një komision për riverifikim të dosjeve në ARBK, në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.
Gjatë korrikut janë verifikuar 660 dosje prej të cilave MINT thotë se 48 kanë rezultuar me emërtime kundërkushtetuese.
“…ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia”, “Gjakovë – Republika e Serbisë”, etj” – thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Tutje thuhet se ARBK ka filluar dje veprimet administrative të parashikuara me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mesin e 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese.
“Bizneset në fjalë kanë veprimtari në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor.”
Siç thotë Ministria, ARBK do të vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.
Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.
Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë” – thuhet në njoftimin e MINT.
Ministria thotë se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh ka nisur hapa për korrigjim dhe kjo vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.