Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Refuzohet padia për shpifje e ushtruar ndaj Mimoza Kusari-Lilës

Gjykata e Gjakovës ka refuzuar si të pabazuar padinë për shpifje të Dervish Tahirit ndaj Mimoza Kusari-Lilës.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës, një refuzim i tillë është bërë me arsyetimin se pretendimet e padisë kanë qenë të pabazuara dhe se të njëjtat nuk kanë arritur të argumentohen përmes fakteve.

Gjykata ka vlerësuar se e paditura Mimoza Kusari-Lila nuk ka cenuar integritetin e paditësit por e njëjta është deklaruar në mbledhje të Komunës së Gjakovës për çështje me interes publik.

Po ashtu, Gjykata ka detyruar paditësin Dervish Tahirin që t’ia kompensojë të paditurës shpenzimet procedurale në shumën prej 337.80 euro.

Kundër këtij vendimi ankesë ka paralajmëruar avokati i paditësit Dervish Tahiri, Meshari Selimaj.

Selimaj, i kontaktuar nga KALLXO.com, ka deklaruar se do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj këtij vendimi.

Palët kishin dhënë edhe fjalën e tyre përfundimtare, duke qëndruar pranë pretendimeve të tyre në kërkesëpadi.

Në këtë rast, paditësi Dervish Tahiri po kërkon kompensim dëmi  nga e paditura Mimoza Kusari-Lila.

Sipas padisë në një mbledhje të Komunës së Gjakovës në mars të vitit 2019, e paditura Kusari-Lila i është drejtuar paditësit Tahiri me fjalët: “Ku është Dervish Tahiri, le të del të tregon se cilat marrëveshje i ka bërë me krejt ata pronarët për ndërtim”.

Në padi thuhet se e njëjta këto fjalë i ka thënë derisa ka qenë prezente si qytetare apo publik gjatë një debati për shpalljen me interes publik të monumentit kulturor dhe historik të kullës “Sylejman Vokshi”.

Padia thotë se e njëjta kishte ndërhyrë pa të drejtën e fjalës duke e ngritur zërin dhe me një gjuhë shpifëse e fyese.

Sipas padisë së Dervish Tahirit, kjo gjuhë fyese është në kundërshtim me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, me të cilën gjuhë paditësi pretendon se të njëjtit i ka shkaktuar dëm në integritetin personal e profesional të tij, pasi që 19 vite punon në administratën e Komunës së Gjakovës.

Seanca e kaluar ishte shtyrë për shkak të mungesës së avokatit Selimaj, për shkaqe shëndetësore.