Kusari- Lila: Vazhdimi i masave ndaj Kosovës është i pakuptimtë

Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e sheh si të pakuptimtë vazhdimin e masave ndaj Kosovës, përderisa, sipas saj, kanë dalë informacione që Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

“Ndaj Kosovës janë masat në fuqi si rrjedhojë e shkuarjes së katër kryetarëve, ndërsa ndaj Serbisë nuk ka masa përkundër që e ka organizuar e mbështetur një sulm terrorist”, ka deklaruar ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur më 01.03.2024.

Ajo ka folur edhe rreth çështjes së hapur për dinarin pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së.

I vetmi diskutim politik që duhet të bëhet me Serbinë në këtë aspekt, sipas saj, është se si ato transfere që vijnë në kesh në Kosovë të transferohen përmes llogarive bankare.

“E vetmja formë e trajtimit të kësaj çështje janë lehtësirat për ngritjen e mënyrave, hapjen e llogarive nga ana e përfaqësuesve të komunitetit serb që nuk kanë pasur të tilla në euro”, ka deklaruar ajo.

Me ftesë të Miroslav Lajçakut, më 27.02.2024 është organizuar takim në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar që takimet për këtë çështje të vazhdojnë me urgjencë.