Rasti i 11-vjeçares, Apeli prish vendimin që dënoi me 40 vjet burg katër të akuzuarit

Gjykata e Apelit ka marrë vendim përmes të cilit e ka kthyer në pikën zero rastin e dhunimit të 11-vjeçares për grupin e parë në të cilin akuzohen pesë persona.

KALLXO.com ka mësuar se rasti pritet të gjykohet për herë të dytë në Gjykatën e Prishtinës, pasi Apeli ka prishur vendimin dënues të Themelores, për grupin e parë të të akuzuarve. Përfshirë edhe për Shkëlqim Kamerin, i cili ishte liruar nga akuza në mungesë të provave.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se rasti në fjalë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit e Kosovës”- ka thënë Gashii për KALLXO.com.

Kujtojmë që katër të akuzuarit e këtij rasti, me 24 shkurt të këtij viti ishin dënuar me 40 vjet burgim, tre prej tyre të mitur, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Ekrem Rexhepi ishte dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G.R me 9 vjet burg kurse G.J dhe Xh.S me nga 8 vjet burg secili. Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Shkëlqim Kameri, mirëpo i njëjti është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ngriti aktakuzë ndaj Ekrem Rexhepit, Shkëlqim Kamerit dhe tre personave të mitur për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në gusht të vitit 2022.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G.J dhe Xh.S, e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.

Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin ”Cigllana”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e mitur e kanë shtrirë në tokë, ku i mituri me iniciale G.J e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh.S ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G.R që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G.J ka qenë duke i’a mbajtur këmbët të miturës.

Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G.R dhe Xh.S e kanë incizuar dhe i’a kanë dërguar një personi duke i akuzuar ata me veprën e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

Nga këtu, sipas prokurorisë ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin Ekrem Rexhepi, i cili kishte shkuar në vend ngjarje me veturën e tipit “Pickup” ku i ka marrë në veturë 3 të miturit bashkë me 11 vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave ku 2 të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari Ekrem Rexhepi edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.

Ndërsa, këtë ngjarje prokuroria pretendon se e ka incizuar i mituri G.J i cili pastaj i’a ka dërguar një personi videon në rrjetet e tij sociale TikTok dhe Snapchat. Me këtë prokuroria e ngarkon me veprën keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.

Sipas aktakuzës, rreth orës 22:41, Ekrem Rexhepi ka telefonuar të akuzuarin tjetër Shkëlqim Kameri, duke i aranzhuar takim të njëjtit me viktimën, që më pas i’a ka huazuar veturën ku edhe i akuzuari Kameri e ka dhunuar seksualisht të miturën.

11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht, për këto dy raste janë arrestuar tashmë 11 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.