40 vjet burg për 4 të akuzuarit për dhunimin e 11-vjeçares

Gjykata e Prishtinës ka dënuar me 40 vjet burg katër të akzuarit, tre prej tyre të mitur, në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në gusht të vitit 2022.

Ekrem Rexhepi është dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G.R me 9 vjet burg kurse G.J dhe Xh.S me nga 8 vjet burg secili. Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Shkëlqim Kameri, mirëpo i njëjti është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Fitim Limani, avokati mbrojtës i të akuzuarit Ekrem Rexhepi.

“Po, sot ishte shpallja e vendimit, Ekrem Rexhepi u dënua me 15 vjet burg. Shkëlqim Kameri u lirua nga akuza. Të miturit G.R me 9 vjet burg, G.J dhe Xh.S me nga 8 vite burg” – tha avokati Fitim Limani për KALLXO.com.

Në dhjetor të vitit 2022, Prokuroria e Prishtinës ngriti aktakuzë ndaj Ekrem Rexhepit, Shkëlqim Kamerit dhe tre personave të mitur për rastin e dhunimit në gusht të një 11-vjeçareje.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G.J dhe Xh.S, e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.

Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin ”Cigllana”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e mitur e kanë shtrirë në tokë, ku i mituri me iniciale G.J e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh.S ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G.R që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G.J ka qenë duke i’a mbajtur këmbët të miturës.

Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G.R dhe Xh.S e kanë incizuar dhe i’a kanë dërguar një personi duke i akuzuar ata me veprën e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

Nga këtu, sipas prokurorisë ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin Ekrem Rexhepi, i cili kishte shkuar në vend ngjarje me veturën e tipit “Pickup” ku i ka marrë në veturë 3 të miturit bashkë me 11 vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave ku 2 të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari Ekrem Rexhepi edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.

Ndërsa, këtë ngjarje prokuroria pretendon se e ka incizuar i mituri G.J i cili pastaj i’a ka dërguar një personi videon në rrjetet e tij sociale TikTok dhe Snapchat. Me këtë prokuroria e ngarkon me veprën keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.

Sipas aktakuzës, rreth orës 22:41, Ekrem Rexhepi ka telefonuar të akuzuarin tjetër Shkëlqim Kameri, duke i aranzhuar takim të njëjtit me viktimën, që më pas i’a ka huazuar veturën ku edhe i akuzuari Kameri e ka dhunuar seksualisht të miturën.

11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht, për këto dy raste janë arrestuar tashmë 11 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.