Dosja e Prokurorisë: 11-vjeçarja u dhunua në park përderisa ishte duke ecur

Në një park të kryeqytetit një vajzë e re 11-vjeçare përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.

Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.

Lidhur me këtë rast deri më tani janë arrestuar vetëm dy të dyshuar përderisa të tjerët vazhdojnë të jenë në arrati.

Sipas organit ndjekës njëri nga të dyshuarit është i njohur për organet e rendit për vepra të ngjashme penale.

I dyshuari 27-vjeçar sot ka dalë para gjykatës dhe ndaj tij pritet të caktohet masa e paraburgimit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.