Rasti 'Brezovica' - Ilustrim

Rasti 'Brezovica', bashkë me ish-kryetarin e Shtërpcës lirohen edhe disa të akuzuar nga paraburgimi

Gjykata e Pejës ka marrë vendim sot që të lirojë nga masa e paraburgimit ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, i akuzuar në rastin e njohur ‘Brezovica’, pasi pagoi dorëzaninë prej 50 mijë eurove.

Bashkë me Nikoliqi, kjo gjykatë ka liruar sot nga masa e paraburgimit edhe pesë persona të tjerë, të cilët ishin në paraburgim në rastin ‘Brezovica’. Personat që janë liruar pas pagesës së dorëzanisë janë: Dimitrije Reciceviq, Dragomir Milosavljeviq, Sasha Milosavleviq, Sasha Spasiq dhe Jadran Kostiq, të cilës janë liruar pasi kanë paguar dorëzaninë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti. E njëjta ka treguar se njërit prej të akuzuarve masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e paraqitjes në Stacionin Policor.

“Për të pandehurit B.N, D.R, D.M, S.M, S.S dhe J.K., është ndërprerë masa e paraburgimit dhe është caktuar masa e dorëzanisë, ndërsa për të pandehurin R.B është caktuar masa e paraqitjes në Stacionin Policor”- ka thënë Zhuti.

Prokurori i  Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, ka thënë se do të ankohet lidhur vendimin e sotëm të Gjykatës së Pejës për të liruar me dorëzani nga paraburgimi, ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Prokuroria e Ferizajt, në dhjetor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.

Aktakuza ishte ngritur ndaj kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe 11 personave të tjerë.

Mbi 1 milion euro pretendohet të jenë marrë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Nikoliq dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend-zonën e Brezovicës.

Nikoliq sipas Prokurorisë po dyshohet se për dhënien e lejeve ndërtimore në Brezovicë ka pranuar para në vlerë  940 mijë euro, 5 shtëpi vikendi në vlerë 300 mijë euro, dhe një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro, për një shumë të përgjithshme 1 milion e 318 mijë euro.

Më saktësisht, Prokuroria po pretendon se ish-kryetari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”.

Më tej, Prokuroria pretendon se ish-kryetarit të Shtërpcës i ishin dhënë ryshfet 240.000 euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Arena Sport”,  Rijad Hasani, 100 mijë euro nga Blerim Imeri, 80 mijë euro respektivisht 30 mijë euro nga dy investitorë fizik, 40.000 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova” dhe 40.000 euro nga investitorët e lagjes Kashtanjeva një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78.000 euro dhe 5 shtëpiza në vlerë rreth 300.000 euro, për dhënien e lejeve ndërtimore që ishin dhënë në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërtimin, Ligjin mbi Parkun Kombëtar “Sharri” si dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës”. Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.

Dosja e Prokurorisë për rastin “Brezovica”: Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se pranoi para dhe dhurata në vlerë 1 milion e 318 mijë euro