Brastillav Nikoliq, ish-kryetar i Shtërpcës

Lirohet nga paraburgimi ish-kryetari i Shtërpcës, pagoi 50 mijë euro dorëzani

Gjykata themelore në Pejë ka marrë sot aktvendim që të lirojë nga masa e paraburgimit ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe njërin nga të akuzuarit për rastin e njohur ‘Brezovica’.

I njëjti është liruar nga masa e paraburgimit pasi që kishte dhënë dorëzani (masë për sigurinë e të pandehurit në procedurë penale) në vlerë prej 50 mijë euro.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati mbrojtës i të pandehurit, Artan Qerkini.

“Është liruar me dorëzani dhe marrje të pasaportës’’ – tha avokati Qerkini.

Gjykata Themelore në Pejë, me 30 gusht 2023 ka lëshuar një urdhëresë për dorëzani për të pandehurin Bratisllav Nikoliq.

I pandehuri Nikoliq gjendej nën masën e paraburgimit që nga 21 dhjetori i vitit 2021.

Avokati Qerkini, ka konfirmuar për Kallxo.com se klienti e tij e kishte paguar shumën prej 50 mijë euro në formë të dorëzanisë brenda afatit ligjor të përcaktuar nga gjykata, me 31 gusht 2023.

‘’Sot e presim vendimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë, pasi që klienti im e ka përmbushur detyrimin për pagesën e dorëzanisë’’ – kishte theksuar avokati Qerkini.

Kryetari i trupit gjykues, Murat Hulaj e kishte vlerësuar këtë propozim për dorëzani si të pranueshëm për gjykatën dhe sipas urdhëresës, dorëzania duhej të paguhej deri më 31 gusht 2023.

Sipas urdhëresës së siguruar nga Kallxo.com, Nikoliq, përmes avokatit mbrojtës të tij, Artan Qerkini, në seancën dëgjimore të 29 gushtit 2023 lidhur me vlerësimin e ligjshmërisë së paraburgimit, kishte deklaruar se është i gatshëm që të ofrojë shumën prej 50 mijë euro në formë të dorëzanisë si garanci që nuk do t’i shmanget thirrjeve të gjykatës.

Prokuroria e Ferizajt, në dhjetor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj dymbëdhjetë (12) personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.

Aktakuza ishte ngritur ndaj kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe 11 personave të tjerë.

Kryetar komune, drejtorë, inspektorë nga niveli lokal dhe sekretarë, inspektorë e kryeinspektor nga niveli qendror, janë pjesë e aktakuzës voluminoze të Prokurorisë së Ferizajt në rastin e njohur “Brezovica”.

Mbi 1 milion euro pretendohet të jenë marrë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Pjesa më e madhe e këtyre parave përshkruhet të ketë përfunduar në “xhepat” e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, i cili kontrollonte secilin aplikim për leje ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, zonë e Brezovicës.

Bratisllav Nikoliq akuzohet se ka kryer nëntë vepra penale si keqpërdorimi i detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në këtë çështje bashkë me ish-kryetarin e Shtërpcës Bratisllav Nikoliq, për veprat penale: marrja e ryshfetit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ushtrimi i ndikimit akuzohen edhe pesë persona të tjerë: Dimitrije Raiçiçeviq, Rijad Hasani, Hajrush Ajvazi, Labinot Vitija dhe Hysein Ajdini.

Të gjitha raportimet nga Kallxo.com, lidhur me rastin Brezovica mund t’i gjeni në këtë LINK.