Vetura e ish kryetarit të Shtërpcës, FOTO :KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë për rastin "Brezovica": Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se pranoi para dhe dhurata në vlerë 1 milion e 318 mijë euro

KALLXO ka siguruar dosjen e hetimit lidhur me rastin  e njohur si “Brezovica” ndaj 10 të arrestuarve në aksionin e djeshëm të Prokurorisë së Ferizajt, ndër ta edhe ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Nikoliq po dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend-zonën e Brezovicës.

Nikoliq sipas Prokurorisë po dyshohet se për dhënien e lejeve ndërtimore në Brezovicë ka pranuar para në vlerë  940 mijë euro, 5 shtëpi vikendi në vlerë 300 mijë euro, dhe një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro, për një shumë të përgjithshme 1 milion e 318 mijë euro.

Më saktësisht, Prokuroria po pretendon se ish-kryetari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”.

Më tej, Prokuroria pretendon se ish-kryetarit të Shtërpcës i ishin dhënë ryshfet 240.000 euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Arena Sport”,  Rijad Hasani, 100 mijë euro nga Blerim Imeri, 80 mijë euro respektivisht 30 mijë euro nga dy investitorë fizik, 40.000 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova” dhe 40.000 euro nga investitorët e lagjes Kashtanjeva një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78.000 euro dhe 5 shtëpiza në vlerë rreth 300.000 euro, për dhënien e lejeve ndërtimore që ishin dhënë në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërtimin, Ligjin mbi Parkun Kombëtar “Sharri” si dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.

KALLXO.com nga mëngjesi i ditës se djeshme ka përcjellë dhe raportuar rreth ecurisë së këtij aksioni që është zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës.

Prokuroria e Ferizajt dje pas zhvillimit të aksionit mbajti një konferencë për media ku u shpalosën rezultatet e këtij aksioni.

Ish-kryetari i Shtërpcës, Bratislav Nikoliq; drejtori i Urbanizmit, Dimitrije Raçiçeviq; Dragomir Milosavleviq dhe Hysni Bajrami – inspektorë të ndërtimit të Komunës së Shtërpcës; Sasha Milosavleviq, drejtor i Kadastrit të Komunës së Shtërpcës, Raif Bajrami, shef i Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës, dy persona përgjegjës të dy kompanive dhe dy persona të tjerë që dyshohen se ndihmuan kryerësit pas kryerjes së veprës penale – u arrestuan dje edhe ndaj tyre është kërkuar masa e paraburgimit ndërsa seanca po mbahet sot në Gjykatën e Ferizajt.

KALLXO.com është duke e përcjellur procesin para Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe po raporton lidhur me zhvillimet.