Brastillav Nikoliq, ish-kryetar i Shtërpcës

Zhvillimet në rastin ‘Brezovica’, Prokuroria do të ankohet për lirimin e kryetarit të Shtërpcës

Prokurori i  Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, ka thënë se do të ankohet lidhur vendimin e sotëm të Gjykatës së Pejës për të liruar me dorëzani nga paraburgimi, ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe njërin nga të akuzuarit për rastin e njohur ‘Brezovica’.

Nikoliq është liruar sot nga masa e paraburgimit pasi që kishte dhënë dorëzani (masë për sigurinë e të pandehurit në procedurë penale) në vlerë prej 50 mijë euro.

Prokurori Rasim Maloku i ka konfirmuar KALLXO.com se kjo prokurori do të bëjë ankesë ndaj këtij vendimi dhe se vendimi i sotëm është befasi.

“Do të bëjmë ankesë, para disa ditësh Gjykata e Apelit kishte vendosur që Branisllav Nikoliq të qëndroj në paraburgim, ndërsa vendimi i sotëm ishte befasi”- ka thënë prokurori Maloku.

Prokuroria e Ferizajt, në dhjetor të vitit 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.

Aktakuza ishte ngritur ndaj kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq dhe 11 personave të tjerë.

Mbi 1 milion euro pretendohet të jenë marrë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

Nikoliq dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Shtërpcës nga viti 2014 deri në vitin 2018 ka pranuar ryshfet – para dhe dhurata me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në vikend-zonën e Brezovicës.

Nikoliq sipas Prokurorisë po dyshohet se për dhënien e lejeve ndërtimore në Brezovicë ka pranuar para në vlerë  940 mijë euro, 5 shtëpi vikendi në vlerë 300 mijë euro, dhe një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78 mijë euro, për një shumë të përgjithshme 1 milion e 318 mijë euro.

Më saktësisht, Prokuroria po pretendon se ish-kryetari Nikoliq ka pranuar 210 mijë euro ryshfet për dhënien e 21 lejeve ndërtimore të shtëpizave për investitorin “Stella Consullting”, si dhe 200 mijë euro të tjera për lejen ndërtimore të objektit hotelier “Stella Consullting”.

Më tej, Prokuroria pretendon se ish-kryetarit të Shtërpcës i ishin dhënë ryshfet 240.000 euro nga personi përgjegjës i ndërmarrjes “Arena Sport”,  Rijad Hasani, 100 mijë euro nga Blerim Imeri, 80 mijë euro respektivisht 30 mijë euro nga dy investitorë fizik, 40.000 mijë euro nga investitorët e lagjes “Sarova” dhe 40.000 euro nga investitorët e lagjes Kashtanjeva një veturë “Range Rover” në vlerë prej 78.000 euro dhe 5 shtëpiza në vlerë rreth 300.000 euro, për dhënien e lejeve ndërtimore që ishin dhënë në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërtimin, Ligjin mbi Parkun Kombëtar “Sharri” si dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Me këto veprime Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprat penale “marrja e ryshfetit”, “keqpërdorimi i detyrës”.

Po ashtu, Nikoliq po dyshohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, duke ndikuar në vendimmarrjen e personave zyrtarë për dhënien e lejeve ndërtimore.

Dosja e Prokurorisë për rastin “Brezovica”: Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet se pranoi para dhe dhurata në vlerë 1 milion e 318 mijë euro