Raportohet për dhunë ndaj një fëmije me sindromën Down në Pejë, Prokuroria nis të hetojë rastin

Organizata joqeveritare Down Syndrome Kosova ka raportuar sot se kanë pranuar një raport dhune ndaj një fëmije me sindromë Down të ushtruar, sipas tyre nga përfaqësuesi i një qendre në Pejë.

Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka njoftuar se është angazhuar Policia e Kosovës për të marrë veprimet e nevojshme për hetim të rastit.

“Me të parë reagimin publik të këtij rasti, Prokurori i Shtetit ka autorizuar menjëherë Policinë e Kosovës për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme” – ka thënë Nikçi për KALLXO.com.

“Të shqetësuar ju njoftojmë se përmes medias sociale, facebook kemi pranuar raport dhune ndaj një fëmije me sindromë Down të ushtruar nga përfaqësuesi i qendrës së OPFAKOS në Pejë, me inicialet I.B, në praninë e stafit të OJQ-së në fjalë dhe pjesëmarrësve të tjerë” – thuhet në reagimin e OJQ-së Down Syndrome Kosova.

Tutje në këtë reagim është thënë se dëshmitari i pranishëm M.M., për të cilin kanë thënë se është i gatshëm të dëshmojë para organeve kompetente, ka raportuar se me datë 6 korrik 2023 në hapësirë publike, plazh në Velipojë të Shqipërisë, i lartë cekuri ka ushtruar dhunë fizike dhe më pas e ka hedhur në ujë fëmijën duke ia rrezikuar jetën.

“Që nga pranimi i këtij informacioni, DSK ka provuar të kontaktoj përfaqësuesit e OPFAKOS ku ka kërkuar që organizata në fjalë të trajtoj rastin konform normave ligjore, por nga përfaqësuesit e tyre kemi marrë përgjigje që qendra e OPFAKOS në Pejë nuk vepron nën ombrellën e OPFAKOS. Deri më tani e kemi pasur të pamundur të kemi informacion mbi funksionimin e kësaj qendre në Pejë, ku e njëjta ka organizuar këtë aktivitet në Velipojë” – thuhet në reagim.

Po ashtu nga kjo OJQ është thënë se kanë kontaktuar edhe prindin e fëmijës i cili u tha se e ka konfirmuar që personi në fjalë ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës së tij, por që sipas DSK-së, prindi nuk ka pranuar të denoncojë rastin.

“Megjithatë për DSK-në, çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe ne ndjejmë obligim ligjor dhe konform misionit tonë t’i marrim masat e nevojshme për trajtim të rastit” – thuhet tutje në reagim.

Gjithashtu nga shoqata Down Syndrome Kosova është thënë se janë angazhuar vazhdimisht në promovimin, respektimin dhe mbrojtën e të drejtave të personave me sindromë Down si dhe ka zero tolerancë ndaj çdo formë të dhunës ndaj komunitetit tonë.

DSK i ka bërë thirrje të gjitha organeve ligj-zbatuese që rasti në fjalë të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe profesionale dhe se kjo OJQ është e gatshme të bashkëpunoj me institucionet në fjalë, në përputhje me Legjislacionin në Fuqi dhe Politikën për Mbrojtën e Fëmijës.