Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM

Rama për mungesën e Kurtit: Kush deshi - erdhi, kush s'mundi - s'erdhi

“Ishin të gjithë të ftuar, kush deshi – erdhi, kush s’mundi – s’erdhi”- kështu është deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas refuzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të marrë pjesë sot në takimin joformal të gjashtë kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pas përfundimit të këtij takimi joformal, Rama dha detaje për atë se çfarë kanë biseduar.

“Prej ca kohësh ne jemi në një përpjekje për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në aspektin e hendekut që ekziston mes vendeve anëtare dhe vendeve tona pas goditjeve të pandemisë, krizës energjetike e Ukrainës që kanë bërë që BE-ja të shpërndajë fonde të konsiderueshme për vendet anëtare, gjë që e ka zgjeruar hendekun mes nesh dhe vendeve anëtare në aspektin e kapaciteteve plus, mundësive të brendshme të çdo vendi”- tha ai.

“Duke marrë parasysh këtë pasojë dhe të gjitha sfidat që sot janë të përbashkëta po aq sa janë të përveçme ne jemi përpjekur të krijojmë një tjetër qasje, që paralelisht me procesin e negociatave të kemi një mbështetje ekstra për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo ka filluar të formësohet dhe një plan i ri për një mbështetje është duke u përgatitur, Ballkanit Perëndimor mund t’i hapen disa shtigje të integrimit në tregun e bashkuar evropian pa pritur që ata të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Pak a shumë kjo është panorama e përmbledhur e ditës së sotme”- shtoi ai.

Edhe komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, përmes një postimi në Twitter ka thënë se në takimin joformal të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, është diskutuar se si të përshpejtohet integrimi ekonomik dhe social i gjashtë vendeve.

Në takimin joformal të sotëm të liderëve të Ballkanit nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ani pse ishte ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte edhe nikoqir i këtij takimi.

Kurti ka zgjedhur që sot të jetë në Greqi si pjesëmarrës i Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.

Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive nga kryeministri Edi Rama ngjalli diskutime për një “krisje të raporteve” mes Ramës e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Më 7 korrik, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar Kosovën, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca por jo me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeparlamentari Konjufca deklaroi se ajo se çka ka ndjerë Kosova me anulimin e mbledhjes së dy qeverive ka qenë “lëndim”.

Qeveria konfirmon se Kurti nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga Rama në Tiranë