Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Qeveria konfirmon se Kurti nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga Rama në Tiranë

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, njoftoi se kryeministri Albin Kurti nuk do t’i shkojë në takimin e thirrur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të takimit me liderët e Ballkanit Perëndimorë.

Sipas Kryeziut, Kurti është ftuar në këtë takim por nuk do të marrë pjesë meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.

“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”- ka thënë Kryeziu.

Ai ka shtuar se kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, më 16 tetor 2023.

Një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor është paraparë të zhvillohet të hënën e 17 korrikut në Tiranë.

I pranishëm në këtë mbledhje pritet të jetë edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli.

Takimi është menduar të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Në anën tjetër, anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive nga kryeministri Edi Rama ngjalli diskutime për një “krisje të raporteve” mes Ramës e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Më 7 korrik, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar Kosovën, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca por jo me kryeministrin Albin Kurti i cili nuk konfirmoi takimin.

Kryeparlamentari Konjufca deklaroi se ajo se çka ka ndjerë Kosova me anulimin e mbledhjes së dy qeverive ka qenë “lëndim”.