Rama kërkon nga BE-ja më shumë përkrahje për shtetet aspiruese
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në forumin e Bledit në Slloveni ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të jep me tepër përkrahje për shtetet aspiruese.
Ai tha se nuk beson që Shqipëria do të jetë në BE në 2023, porse së paku të realizojë disa prej hapave.
“Jo që besoj që do të jemi në vitin 2030 pjesë e BE-së por së paku në disa hapa kjo do të ishte gjë e mirë. Nga momenti kur shtetet të futen në rrugën drejt BE-së e deri në momentin kur të bëhen anëtare, duhet të ketë gjëra në mes, jo vetëm parime, vlera e mësime, që janë shumë të nevojshme, jo vetëm reforma e kritika, që po ashtu janë të nevojshme, por edhe më tepër përkrahje konsistente”- tha Rama.
Ai shtoi se nuk po e thotë këtë për aspektin financiar por për qasje në Tregun e përbashkët apo hapësirë më të hapur për ndërmarrjet e shteteve aspiruese.
Sipas tij, në Procesin e Berlinit flitet për infrastrukturën, për projekte, si të financohen ato, ndërsa atë infrastrukturë e ndërtojnë “amerikanët, kinezët e arabët”.
“Duke punuar pro-bono 50 vjet kundër Perëndimit, Enver Hoxha na ka bërë shtetin më pro-evropianë e pro-amerikanë në Evropë. Kemi edhe 20 vjet optimizëm pro-evropian, shpresoj deri atëherë Charles se do ta përmbushësh premtimin”- ka thënë Rama.
Në këtë panel ka marrë pjesë Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, Kryesuesja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.