Rama i kërkon Stoltenbergut përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar nga NATO që ta rishqyrtoj mundësinë që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe.

Kryeministri shqiptar në deklaratën e përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha që duke pasur parasysh situatën përfshirja e Kosovës duhet konsideruar.

“Theksoj nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe, edhe pse e dimë që ka kufizime politike nga disa aleatë dhe e dimë që ky është një organizim konsensual megjithatë në kohët në të cilat jetojmë në këndvështrimin tim modest është vërtet mençur që kjo të konsiderohet”, tha Rama.

Rama tha që Shqipëria si vend aleat por edhe si vend kandidat në BE do të vazhdoj të luaj rolin tradicional në mbështetje të paqes, pajtimit dhe stabilitetit.

“Është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë Serbinë e cila nuk është pjesë e aleancës sonë, por ende është pjesë e rajonit tonë”, tha Rama.

Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përgëzoi Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

“Në ram dakord që të ftojmë Finlandën dhe Suedinë që të anëtarësohen në NATO dhe përgëzoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit për të dyja vendet. Kjo dëshmon që dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se do të përkrahim të drejtën e çdo vendi që të zgjedh të drejtën e vet”, tha Stoltenberg.

Sekretari i NATO-s tha që aleanca do të vazhdoj ta mbështet Ukrainën pas agresionit rus.

“NATO qëndron me Ukrainën, ndërkohë që mbron veten e saj ndaj luftës kundër Rusisë, ne po ofrojmë nivele të pashembullta mbështetje dhe kjo do të vazhdoj edhe për një kohë të gjithë”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka shprehur synimet e saj për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe (PFP) e pastaj edhe në NATO.

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.

Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Programi përfshin pothuajse çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1,600 aktivitete.