Qytetarët harxhojnë mbi 4 mijë euro në muaj për trajtimin e Melanomës, MSh thotë se sigurimi i citostatikëve është shumë i shtrenjtë

B.A nga Prishtina, i cili është diagnostikuar me kancer të lëkurës “Melanoma metastatucum regio parotidea mat dex” thotë se po shpenzon mijëra euro në muaj për t’u trajtuar.

Sipas B.A, i cili është diagnostikuar me kancerin e lëkurës qysh para një viti e gjysmë, të gjitha barnat është duke i blerë vet pa ndonjë ndihmë nga shteti.

B.A thotë se ka bërë kimioterapi, por që ka rezultuar e pasuksesshme në organizmin e tij.

“Jam diagnostikuar me këtë sëmundje qe një vit e diçka. Jam operuar dy herë në ORL dhe e kanë larguar sëmundjen komplet. Më pas në Onkologji më kanë dhënë kimioterapi sepse nuk kam pasur mundësi të blejë barna se shumë shtrenjtë. 1007 euro është një kuti për 7 ditë, d.m.th janë 4 mijë euro për një muaj. Kimioterapia nuk iu ka përgjigj sëmundjes time”, ka deklaruar për KALLXO.com.

B.A thotë se ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për kompensim të të hollave që e kishte blerë terapinë, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje.

Ai shton se tash, pas operacionit të tretë, mjekët i kanë përshkruar barna të cilat do t’i kushtojnë 9 mijë euro në muaj.

“Unë kam dërguar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë qe shtatë muaj, por nuk më kanë kthyer asgjë, me a kompenu një kuti të ilaçeve që e kam blerë 1 mijë e 7 euro. (zelboraf). I kam përdor një kohë këto tableta dhe më pas është dashtë që unë më hy në operacion prap. E tash para se me hy në operacion për të fundit herë, m’i ka përshkru disa tableta 9 mijë euro për një muaj. (cotellic- cobimetinib). Në Kosovë këto nuk guxojnë me i shit. Në krejt botën terapitë për melanomë jepen falas”, ka shtuar më tej B.A.

KALLXO.com ka kontaktuar me Shërbimin Klinik dhe Universitar të Kosovës të cilët kanë konfirmuar se B.A është diagnostikuar me kancerin Melanoma.

“Pacienti në fjalë është operuar në Klinikën e ORL para një jave me diagnozë Melanoma metastatucum regio parotidea mat dex. I njëjti është udhëzuar për tretman të mëtutjeshëm në Institutin e Onkologjisë”, ka thënë Arsim Behramaj, drejtor në Klinikën e ORL-së.

KALLXO.com ka kontaktuar me informacione në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me kërkesat që i ka bërë B.A për mbulueshmërinë e shpenzimeve të terapisë dhe të njëjtit kanë deklaruar se nuk mund ta bëjnë këtë gjë për shkak të mungesës së Sigurimeve Shëndetësore ndonëse pranojnë kërkesa të ndryshme nga qytetarët.

“Ministrisë së Shëndetësisë mund t’i parashtrohen kërkesa të ndryshme nga qytetarët, nga subjekte dhe palë të ndryshme, por në mungesë të funksionalizimit të Sigurimeve Shëndetësore, Ministria nuk ka të drejt ligjore dhe as mundësi që të bëjë rimbursime për shërim qytetarët i marrin jashtë institucioneve publike”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Gjithashtu, në përgjigjen e MSh-së thuhet se e vetmja mënyrë e përkrahjes është përmes programit për shërim jashtë vendit në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Mundësia për përkrahje të trajtimeve jashtë vendit bëhet përmes Programit të TJISHP që është në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, sipas procedurave të këtij programit, ku kushti themelor qe një lëndë të trajtohet është që e njëjta të jetë rekomanduar nga Kolegjiumi profesional prej tre specialistëve të klinikës apo shërbimit përkatës të QKUK-së”, vazhdon më tej ky institucion në përgjigjen e tyre.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se trajtimi i Melanomës bëhet edhe në Kosovë, po është sëmundje shumë agresive dhe faret në fazat që ajo gjendet. Sipas MSh-së trajtimi i saj bëhet përmes ndërhyrjeve kirurgjike, terapisë me rrezatim dhe imunoterapisë.

Varet nga kohëzgjatja e trajtimit, stadi kur është bërë intervenimi, lloji i terapisë. Terapia që është në dispozicion për pacientët që trajtohen në Onkologji/QKUK mbulohet nga shteti, por sigurimi i citostatikëve gjithmonë ka qenë një sfidë për shkak të kushtueshmërisë së lartë të tyre dhe ndonjëherë edhe vështirësive për t’i siguruar”, thuhet në përfundim të përgjigjes së MSh-së.

Melanoma është një formë serioze e kancerit të lëkurës që fillon në qelizat e njohura si melanocite. Melanoma është mjaft e  rrezikshme për shkak të aftësisë së saj për t’u përhapur në organet e tjera më shpejt nëse nuk trajtohet në një fazë të hershme.

Citostatikët përdoren për mjekimin e tumoreve të ndryshme malinje (karcinome, limfome, leukemi). Terapia citostatike përdoret me qëllim që të arrihet shërim i sëmundjes malinje dhe kombinohet me metoda tjera të mjekimit (me trajtimin kirurgjik dhe trajtimin jonizuesradioterapi).

Këto ilaçe janë pjesë e listës esenciale të barnave dhe kushtojnë shumë shtrenjtë.

Sipas ligjit, barnat e listës esenciale të barnave duhet t’u jepen të gjithë qytetarëve që kanë nevojë dhe është e drejtë e garantuar.

Përmes Listës Esenciale të Barnave, MSh duhet të furnizojë Institucionet Shëndetësore me citostatikë, barna dhe material medicinal.

Qeveria Kurti 1 në muajin mars kishte premtuar se do ta rrisë buxhetin e shëndetësisë në 50 milionë për blerjen e pajisjeve mjekësore si dhe do ta rrisë buxhetin për të siguruar furnizim 100% me barna esenciale.