Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Quni tregon se a kanë ushtarët e FSK-së sigurim shëndetësor

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se asnjë ushtar i Kosovës nuk do të dërgohet në mision pa qenë i siguruar.

Quni ka thënë se kjo do të rregullohet me ligj.

“Kjo është një çështje që është trajtu. Kemi llogaritur koston për sigurim shëndetësor, jetësor, transport dhe janë të rregulluara me ligj. Ushtarët tanë do t’i kenë të gjitha këto. Asnjë ushtar nuk do të dërgohet jashtë vendit pa sigurim shëndetësor. Janë të parapara pagesat për sigurimin e rrezikshmërisë dhe të gjitha kostot e operacionit”, ka thënë Quni përballë Jeta Xharrës.

Ai ka vlerësuar se dërgimi i FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit është një nga momentet më historike në kohërat moderne.

“Është një ndër momentet më historike në kohërat moderne. Po besoj që në mungesë të informatave mund të ketë vlerësime dhe qëndrime të ndryshme. Falenderoj të gjithë deputetët, Komisionin Parlamentar, të gjithë aketërt e kyçur për ta shtyrë këtë proces përpara”, tha Quni në ‘Kallxo Pernime’.

Sipas tij, është një operacion shumë kompleks, i determinuar nga shumë faktorë dhe ka filluar qysh në tetor të vitit 2019.

“Të gjitha këto përgatitje janë bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ushtarake amerikane. Nuk varet çdo gjë nga vullneti jonë, por edhe nga autoritetet e vendeve ku do të zbarkojnë. Do të jemi nën komandën qendrore amerikane, që do ta përfshijë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Juglindore”, tha Quni përballë Jeta Xharrës.