Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Qeveria uron Ditën e Evropës

Duke përmendur sukseset e Kosovës drejt integrimit evropian të shënuara gjatë këtij viti: votimin e parë drejt antarësimit në Këshillin e Evropës dhe përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës ka uruar Ditën e Evropës.

“Në Ditën e Evropës, ne si Qeveri riafirmojmë projektimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian,” shkruan në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Përveç kësaj, këtë ditë Qeveria e ka uruar duke kujtuar deklaratën e ministrit të jashtëm francez, Robert Schuman i cili foli për herë të parë për idenë e Evropës.

“Paqja botërore nuk mund të ruhet pa ndërmarrjen e përpjekjeve kreative në proporcion të drejtë me rreziqet që e kërcënojnë atë,” e kanë cituar Schumanin duke potencuar që në sfidat me të cilat po përballet tashmë Evropa, uniteti dhe paqja janë domosdoshmëri për një të ardhme të lirë, demokratike e prosperuese.

Dita e Evropës shënohet më 9 maj sepse në këtë datë në vitin 1950, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, publikoi një deklaratë ku propozoi krijimin e Bashkimit Evropian. Kjo deklaratë është konsideruar si një hapi i rëndësishëm në integrimin evropian dhe në krijimin e një Evrope pa kufij, të bashkuar dhe të paqësore.

“Hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian. Qytetarët e vendit tonë, të cilët përqafojnë dhe i mishërojnë vlerat evropiane, mund të ndihen tashmë më afër Evropës. Kosova gjendet në një trajektore të vendosur në rrugën drejt BE-së, në një proces të pakthyeshëm,” shkruan në komunikatë.

Në këtë ditë, të gjithë shtetet anëtare të BE-së festojnë me ngjarje të ndryshme që shërbejnë si një rast për t’i nderuar arritjet e BE-së dhe për të nxitur bashkëpunimin evropian.

Për hirë të kësaj dite, në Kosovë është ditë pushimi.