Foto: ZKM

Qeveria miraton projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave

Në mbledhjen e 180-të të Qeverisë së Kosovës është miratuar Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Sipas prezantimit të këtij projektligji nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është thënë se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media dhe harmonizimi i tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian është përlonguar për një kohë të konsiderueshme nga Qeveria.

Kurti ka thënë se ky projektligj do të bëjë reformë në fushën e medias.

“Paraqes para jush si një ligj që do të bëjë reformë në fushën e medias, e që do të trajtojë dhe rregullojë kompetencat e KPM-së, pronësinë e mediave, mbrojtjen e fëmijëve dhe qasjen e personave me aftësi të kufizuara”- ka deklaruar kryeministri Kurti.

Përveç kësaj, Kurti ka vazhduar të tregojë se çka parashihet të bëjë ky projektligj, ku ka përmendur mbikqyrjen e përmbajtjes që ofrohet në televizion nga mediat dhe çështje tjera.

“Për më tepër ky projektligj do të përcaktojë politikat e transmetimit dhe të ritransmetimit, mbikqyerjen e përmbajtjes audio-vizive të paraqitura në mediat online dhe në platformat për shpërndarjen e videove, duke vendosur standarde të larta edhe në çështjen e sponsorimit, vendosjes së produktit, reklamimit në televizion, e të komunikimeve komerciale”- ka shtuar Kurti.

Kujtojmë që Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, në bashkëpunim me “Global Media Registry” më 13.12.2023 ka publikuar faqen e internetit të monitorimit më të madh të pronësisë së mediave në Kosovë.

Në pronësi të kujt janë mediat në Kosovë? Publikim i raportit: Pronësia e Mediave në Kosovë