Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

Në pronësi të kujt janë mediat në Kosovë? Publikim i raportit: Pronësia e Mediave në Kosovë

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, në bashkëpunim me “Global Media Registry” ka publikuar sot faqen e internetit të monitorimit më të madh të pronësisë së mediave në Kosovë.

Në panelin e diskutimit, Aferdita Saraçini- Kelmendi, drejtoreshë e televizionit “RTV 21”, ka thënë se çështja e transparencës së pronësisë së mediave ka qenë prioritet për të.

Saraçini-Kelmendi theksoi se transparenca mediale është e vogël.

“Çështja e transparencës së pronësisë së mediave, për mua gjithmonë ka qenë prioritet, kur them prioritet është për shkak se, në kuadër të jo vetëm Ballkanit por edhe në kuadër të Europës, kur them në Euorpë s’e kam fjalën për BE-në por për vendet të cilat ende janë në zhvillim e sipër e që synojnë tregun europian, transparenca mediale dihet që është e vogël, për shkak të ekzistimit të interesave të ndryshme, qoftë politike apo qoftë financiare apo biznesore”- deklaroi ajo.

Kurse, kryesuesi i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, u shpreh se kanë një draft-rregullore për pronësi dhe koncentrim medial, e cila së shpejti pritet të miratohet.

“Kemi një draft-rregullore për pronësi dhe koncentrim medial. Ka qenë në konsultim publik për 30 ditë dhe kemi pranuar komente të shumta nga akterët. Shumë shpejt rregullorja do të miratohet, brenda këtij muaji, ashtu siç edhe e kemi dhënë premtimin”- shpjegoi Mehmeti.

“Do të kemi një hartë dixhitale pothuajse të ngjashme nga ajo që u prezantua, do e kemi me të gjithë të licencuarit në KPM, 266 sosh, ku do ofrojmë të gjitha informacionet e nevojshme mbi pronësinë e tyre, aksionarët, mbi ekipin menaxhues, redaksional, adresën e tyre dhe të gjitha informacionet bazike që i duhen një qytetari”- shtoi ai.

Ardita Zejnullahu, drejtoreshë ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura në Kosovë, vlerësoi se transparenca është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme sepse audienca duhet të dijë se kujt i takon mediumi apo media prej së cilës ata e konsumojnë përmbajtjen apo informatën.

“Transparenca është diçka jashtëzakonisht e rëndësishme sepse audienca duhet të dijë se kujt i takon mediumi apo media prej së cilës ata e konsumojnë përmbajtjen apo informatën, kështu që është e rëndësishme që shikuesi të dijë se kush në fund të ditës ndikon në ato politikat redaktuese të mediumit të caktuar sepse pronarët ndikojnë në transparencën dhe politikat redaktuese”- nënvizoi ajo.

Teksa ka folur për ueb-faqen e MOM-it, profesori universitar Alban Zeneli tha se deri në lansimin e faqes është përdorur edhe gazetari hulumtuese si teknikë për të mbledhur shënime.

“Media Ownership Monitoring ka përdorë edhe gazetari hulumtuese si teknikë për me mbledhë shënime dhe me publiku të dhëna për mediat, ndërkohë që një gjë e tillë është e pamundshme edhe nga aspekti i studimeve shkencore apo rregullatorit”- tha Zeneli.

“Mendoj se mediat si zhvillim nuk janë shkëputur tërësisht as prej shtetit, as prej partive politike dhe agjensëve të tjerë shoqërorë në shoqërinë tonë. Të dhënat e publikuara në MOM mendoj se janë të rëndësishme në ngritjen e transparencës së mediave që siguron besueshmëri më të madhe në kohën kur gjuha anti-media e politikanëve është jashtëzakonisht e ashpër”- shtoi ai.

Kreshnik Gashi, hulumtuesi kryesor i Platformës për Monitorimin e Pronësisë së Mediave, tregoi vështirësitë me të cilat janë përballur deri në lansimin e ueb-faqes.

Gashi tha se problemi i parë që kanë hasur ka qenë se nuk janë gjetur as edhe CV-të e pronarëve.

“Problemi i parë që kemi hasë ka qenë se nuk i kemi gjetë as edhe CV-të e pronarëve, pra ka mediume që është dashtë në vazhdimësi ne me jua shkruajtë një pjesë të CV-së të pronarëve dhe me i grumbullu të dhënat se ku kanë punu këta njerëz më herët dhe çfarë angazhime kanë pasë për shkak se nuk i kanë të publikuara në ueb-faqe të veta”- ka thënë Gashi.

“Standardet e BE-së kërkojnë me pasë transparencë bukur të mirë të mediave edhe tek ato online. Ajo që mendoj se ne në Kosovë duhet me pasë, ne mundemi me përcaktu standarde minimale të funksionimit të mediave online. Në ARBK kur ta merr kodin duhet me i pasë disa standarde minimale, sikur buxheti, kush janë financuesit, kush është pronari, ekipi redaktorial e të tjera”- u shpreh ai.

Bazuar në një metodologji gjenerike, “Monitori i Pronësisë së Medias” (MOM) është zhvilluar si një ushtrim krijimi harte në mënyrë që të krijohet një databazë e disponueshme publikisht dhe e përditësuar vazhdimisht që rendit pronarët dhe mediat më të rëndësishme në një vend.
MOM-i krijon transparencë mbi kush e ka nën pronësi median, çfarë interesash të lidhura kanë pronarët, në çfarë mase ekzistojnë varësitë dhe për rrjedhojë, kush ka realisht ndikim potencial mbi opinionin publik.

Këtu gjeni ueb-sajtin e Monitorimit të Pronësisë së Mediave në Kosovë- LINK.

www.kallxo.com