Qeveria miraton projekt-udhëzimin që ndalon pjesëmarrjen e fëmijëve në klube të natës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka miratuar ka miratuar projekt-udhëzimin administrativ për masat e duhura parandaluese dhe mbrojtëse për ndalimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në klubet e natës dhe hapësira të tjera të ngjashme.

Kryeministri i Kosovës, Albon Kurti tha se ky projekt-udhëzim buron nga ligji për mbrojtje të fëmijëve me qëllim të mbrojtës së fëmijëve nga pjesëmarrja në klubet e natës dhe hapësirat e tjera të ngjashme.

“Po e bëjmë këtë projekt-udhëzim administrativ dhe kjo synohet të arrihet përmes krijimit të mekanizmave dhe ndarjes së përgjegjësive e obligimeve ndërmjet policisë, shërbimeve sociale, si dhe autoriteteve publike e prindërve, kujdestarëve, pronarëve të bizneseve e personave përgjegjës si palë të treta me ndikim në situata të cilat rregullohen nga ky projekt-udhëzim”- tha Kurti .

Zëvëndësministëri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra ka thënë se ky udhëzim është  ndërtuar mbi parimet e konventës për mbrojtje të fëmijëve.

“Është i ndërtuar mbi parimet e konventës për mbrojtje të fëmijëve. Është në mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve duke organizuar institucionet deri te prindërit. Ky projekt udhëzim kontribon në avancimin e ruajtjes së të drejtave të fëmijëve”- deklaroi Dobra.