Emisarët përëndimor, Foto: ZKM

Qeveria e Kosovës: Pesë emisarët ofruan planin për ecjen përpara

Pesë emisarë perëndimor qëndruan sot në Prishtinë në një takim për gati dy orësh me kryeministrin kosovar, Albin Kurti.

Pas takimit, para gazetarëve, emisar i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dha lajmin se tashmë ka një plan për të ecur përpara në dialogun Kosovë-Serbi. Por, i dërguari i BE-së, nuk pranoi të jap shumë detaje.

Lajmin e konfirmoi edhe Qeveria e Kosovës përmes një njfotimi për media.

“Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje, zyra për media e ekzekutivit kosovar tregoi edhe temat e tjera që u folën në takimin mes Kurtit dhe diplomatëve perëndimor.

““Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re” – thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se Kurti ka treguar edhe prioritetin e Kosovës në këtë fazë të dialogut.

“Prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje” – thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak theksoi nevojën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Lajçak: Pa Asociacion, nuk do të ketë progres në rrugën europiane të Kosovës