Ilustrim

Qeveria e Kosovës ndan mbi 250 mijë euro për tekste shkollore për nxënësit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

Kabineti qeveritar i Kosovës, në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e mbi 254 mijë eurove për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në shkollat fillore, në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për vitin shkollor 2023-2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ndihma për bashkëkombasit është jo vetëm nevojë, por obligim.

“Vitin e kaluar kemi ndarë mjete me qëllim të pajisjes me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptar të shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ndihma jonë për bashkombasit tanë është jo vetëm nevojë por obligim i yni që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare “- deklaroi ai.

“Propozoj që të aprovojmë kërkesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të ndajmë mjete në shumën 254 mijë e 562 euro për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe”- shtoi Kurti.

Edhe në shtator të vitit të kaluar, qeveria pati ndarë 200 mijë euro për nxënësit e Luginës së Preshevës.

Qeveria merr vendim për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e Luginës së Preshevës