Foto: REL/Reuters

Punëtorët e marketit në Pejë vazhdojnë punën, nuk u bëhet testi për COVID-19

Stafi i një marketi në Pejë ka shprehur shqetësimin pse askush nuk i testoi për COVID-19 pasi një koleg i tyre rezultoi pozitiv me sëmundjen.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë për këtë rast.

Punëtorët e marketit po ndihen të diskriminuar dhe të shqetësuar për faktin se i gjithë stafi i Qendrës për Shëndet Mental në Pejë u testua me urgjencë nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik pasi një punëtore e qendrës ka dalë e infektuar me COVID-19.

Ky standard nuk është zbatuar me punëtorët e marketit, të cilët vazhdojnë të punojnë.

“A veç pse ata janë publik e ne privat po bëhen këto dallime?”, tha për KALLXO.com një punëtor i këtij marketi.

Ai tha se askush nuk i ka kontaktuar lidhur me gjurmimin e kontakteve.

“Absolut jo, vetëm nëse dikush ka folë me menaxherin, e ai nuk po na informon”, deklaroi ai.

Ndërsa drejtoresha rajonale e Institutit të Shëndetit Publik në Pejë, Arbnora Nurboja, në një bisedë për KALLXO.com nuk tha shumë për këtë çështje.

Ajo tha se janë duke punuar në atë aspekt duke u arsyetuar se numri i punëtorëve në market është më i madh prandaj sipas saj duhet kohë më shumë.

“Do të ju mundësohet edhe atyre, por është pak me problem se është numri me i madh, të gjithë që duhet të testohen do të testohen”, tha Nurboja.