Qëndron Kastrati dhe Teutë Rrusta Foto: PSD

PSD: Do të përfaqësohemi 50-50 nga burrat dhe gratë në parti

Këshilli Drejtues i Partisë Socialdemokrate, ka vendosur që përfaqësimi i barabartë i grave dhe burrave në të gjitha nivelet vendimmarrëse, të jetë 50-50.

Shembull konkret sipas tyre është, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati i cili tregoi se në komunën që ai e udhëheq, 54 për qind e drejtorive udhëhiqen nga gratë, ndërsa në Komunën e Prishtinës 44 për qind.

Në njoftim thuhet se PSD me mekanizma konkret, ka filluar që të sfidojë rendin patriarkal.

“Agjentët shoqërorë që kanë pikësynim një shoqëri të lirë e të barabartë, atë duhet ta kenë edhe si pikënisje. Hierarkizimi i problemeve sipas rrethanave elektorale, ka peshuar rëndom mbi shtresat, zëri i të cilëve nuk dëgjohet dhe të cilat rëndom vuajnë nga gjendja e rëndë ekonomike dhe shtrëngesat e shumta kulturore.”, është thënë në njoftimin e PSD-së.

Sipas PSD-së, partitë politike nuk janë imune ndaj gjendjes shoqërore në të cilën veprojnë, por ato po refuzojnë t’i ndjekin rregullat e asaj shoqërie.

“Qëndron Kastrati, Kryetar në Komunën e Kamenicës dhe Nënkryetar i Partisë Socialdemokrate, si dhe Teutë Rrusta, anëtare e Kryesisë dhe udhëheqëse e Departamentit të Terrenit, sot prezantuan agjendën e PSD-së për barazi gjinore si brenda subjektit ashtu edhe përmes modelit të tyre qeverisës.”, është thënë më tej.

Ndërsa Teutë Rrusta gjatë kësaj konference, u bëri thirrje grave dhe vajzave me bindje socialdemokrate, që t’u bashkohen në agjendën e tyre për barazi gjinore.