PSD vendos memorialin e Oliver Ivanoviqit para zyrës së kryeministrit Kurti

Në një aksion simbolik të mbajtur para Qeverisë, Partia Socialdemokrate (PSD)  sot ka vendosur para objektit të ekzekutivit një fotografi të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq dhe një kurorë lulesh në të cilën shkruan “I pikëlluar, Albin Kurti”.

Aksion simbolik i mbajtur para qeverisë nga Partia Socialdemokrate (PSD). FOTO: KALLXO.com
Aksion simbolik i mbajtur para qeverisë nga Partia Socialdemokrate (PSD). FOTO: KALLXO.com

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj tregoi se ky aksion po bëhej pas deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.

Dradan Molliqaj gjatë aksion simbolik të mbajtur para qeverisë nga Partia Socialdemokrate (PSD). FOTO: KALLXO.com

Molliqaj Deklaratën e Kurtit e quajti skandaloze dhe tha se arsyeja e vendosjes së kësaj panoje është që për sa kohë që Albin Kurti të jetë kryeministër, ky do të jetë vendi ku ai duhet ta nderojë Ivanoviqin.

“Deklarata e kryeministrit të Republikës së Kosovës për përvjetorin e Oliver Ivanoviq është skandaloze, është e papranueshme dhe me qëllimin e saj kryesor e ka desubjektivimin e njeriut.” – tha Molliqaj.

“Mos harroni që javë më parë kryeministri i Kosovës i quante ekstremistë 9 mijë qytetarë serbë të Republikës së Kosovës vetëm pse nuk i kanë konvertuar targat nga KM në Republika e Kosovës. Ndërsa një person që ka qenë përgjegjës për shpërngulje, për urdhërdhënie të ekzekutimit të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës dhe pas luftës, për themelimin e një organizate kriminale e ka nderuar dhe vlerësuar më së larti prej të gjithë qytetarëve serbë në Kosovë” – shtoi ai.

Kreu i PSD-së tutje e krahasoi kryeministrin e Kosovës me pushtetet totalitare më herët.

“Kjo ndodh sepse kryeministri i Kosovës në idenë e vet të madhe për veten dhe Kosovën i lejohet të bëj çdo gjë. Një gjë të tillë e kanë bërë pushtetet totalitare më herët. Ju e mbani mend, e dikush edhe e ka lexuar se qysh Enver Hoxha ta zëmë, i shpallte tradhtarë ata që e kundërshtonin Jugosllavinë ose bashkëpunimin me Jugosllavinë. Kur prishej vetë me Jugosllavinë, të njëjtit njerëz i shpallte heronjë, ndonëse ishin të vdekur disa prej tyre, ndoshta ishin edhe në internim” – u shpreh ai.

“Ky kryeministër për nevoja të veta të idesë së tij për shtetin këtë njeri ndër vite e ka përdorur si ogurzi dhe përfaqësues të krimit në Kosovë. Tani po dëshiron ta përdorë të njëjtin, ta rikuperojë përballë Vuçiqit. Kjo tendencë është e rrezikshme se këtu nuk është vetëm fakti që po e lavdëron një njeri që është përgjegjës për shumë vrasje dhe krime por kjo flet më shumë për rrezikun e këtij njeriu”-shtoi Molliqaj.

Sipas kreut të PSD-së, nëse shoqëria nuk reagon kryeministri Kurti nuk do të ndalet vetëm në interpretime të rrezikshme por një ditë do të ketë edhe veprime.

Molliqaj tha se presin që Kurti të kërkoj falje për këtë veprim.

Kryeministri Kurti, ditë më parë përmes një video-mesazhi ka theksuar se pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës.

Në këtë video, Kurti e konsideroi Ivanoviqin si një politikan serb, dhe një person të përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.

Aktivistët e PSD-së gjatë aksionit simbolik para objektit të Qeverisës së Kosovës. FOTO: KALLXO.com