Prokuroria Themelore Prishtine
Prokuroria për ish- këshilltarin e Kurtit: U ndalua për ngacmim dhe detyrim
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka reaguar pas pretendimeve se ish- këshilltari i Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Durim Berisha është ndaluar për shkak të postimeve të tij në rrjetin social Facebook.
Prokuroria ka thënë se arsyeja e ndalimit për 48 orë të Berishës erdhi si rezultat i veprave penale që dyshohet se kreu i njëjti, atë të ngacmimit dhe detyrimit.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, me urdhër të prokurorit kujdestar , është ndaluar për 48 orë një person i dyshuar me inicialet D.B”- thuhet në njoftim. .
Tutje thuhet edhe se sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar në dyshimet fillestare, Berisha si i dyshuari ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në komunikim me palën e dëmtuar, për çka Prokuroria ka siguruar prova relevante që mbështesin këto dyshime.
“Prokuroria thekson se ky rast nuk ndërlidhet me pretendime apo denoncime publike të bëra nga i dyshuari, siç është raportuar në disa media. Këto raportime janë bazuar në deklarata të avokatit mbrojtës të të dyshuarit dhe nuk përputhen me gjendjen faktike të konstatuar deri në këtë fazë të hetimeve nga organet kompetente”- thuhet në njoftimin tutje të prokurorisë.
Në anën tjetër, në rrjetin social Facebook, avokati i Berishës, Ngadhnjim Makolli kishte shkruar më 01.05.2026 se klienti i tij u arrestua për shkak të një denoncimi publik rreth dyshimeve për keqpërdorim seksual në Bashkësinë Islame të Kosovës.
“Policia me Urdhër të Prokurorit, ka ndaluar për 48 orë klientin tim, Durim Berisha. Ky ndalim vjen pas denoncimit publik në Facebook rreth dyshimeve për keqpërdorim seksual në BIK”- ka shkruar Makolli në Facebook.
KALLXO.com ka tentuar të marrë përmes telefonit edhe një reagim nga avokati por I njëjti ka qenë i pa qasshëm.