Foto: Ilustrim

Prokuroria e Gjilanit për 5 inspektorët e arrestuar: Falsifikuan procesverbalin për një kafiteri

Pesë inspektorë sanitarë janë arrestuar për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Prokuroria në Gjilan ka dhënë detaje lidhur me inspektorët komunalë të arrestuar.

“Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar pesë (5) persona – inspektor komunal, të dyshuarit SH.K., B.D., A.I., A.F. dhe E.R., të cilët dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar’’, ka thënë Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, inspektorët Sh.K., B.D., A.I., A.F. dhe E.R., mbrëmë si persona zyrtarë, gjatë inspektimit në kafiterine ‘’Lujo Pub’’, në Gjilan, në asistencën e Policisë së Kosovës, lidhur me implementimin e masave të sigurisë, përkitazi me pandeminë për COVID-19, kanë përpiluar dokument zyrtar – procesverbal duke shënuar të dhëna të rreme nga gjendja faktike, me ç’rast kanë përpiluar raportin me shkrim se në atë lokal gjithçka është në rregull edhe përkundër faktit se aty kishte një numër të konsiderueshëm të klientëve, duke mos u respektuar distanca sociale dhe rregullat e tjera të parapara nga Qeveria e Kosovës.

“Të dyshuari gjenden në ndalim 48 orësh dhe brenda afatit ligjor Prokuroria do të kërkojë nga gjykata masën për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale”, thuhet në njoftim.