Projekt 2.8-milionësh, nis rregullimi i rrjetit të ujësjellësit në dy lagje dhe dy fshatra të Fushë-Kosovës
Kryeministri i Albin Kurti, bashkë me ministrat Elbert Krasniqi dhe Liburn Aliu, si dhe me kryeshefin ekzekutiv të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu, kanë marrë pjesë në përurimin e fillimit të punëve për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit, i cili do t’i furnizojë me ujë të pijshëm banorët e lagjeve 28 dhe 29 dhe të fshatrave Bardh i Madh dhe Sllatinë e Madhe të Fushë-Kosovës.
Pra, në mesin e 10 mijë qytetarëve që do të përfitojnë nga ky projekt në vlerë 2.8 milionë euro janë edhe bashkëvendasit e kryetarit të Komunës, Burim Berisha, i cili është nga Sllatina e Madhe.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti shprehu përkushtimin dhe angazhimin e Qeverisë për të përkrahur Komunën.
“Si Qeveri nuk kemi premtuar mrekulli, por kemi premtuar korrektësi dhe përgjegjësi. Qeveria po e mban fjalën, sot do ta hedhim gurthemelin e projektit në vlerë 2.8 milionë euro që do t’ju sjellë ujë të pijes rreth 10 mijë banorëve të kësaj ane. Pra, i kemi dy lagje në Fushë Kosovë 28 dhe 29 dhe gjithashtu fshatrat Bardh i Madh e Sllatinë e Madhe”- ka deklaruar kryeministri sipas komunikatës.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës e përkrah komunën e Fushë-Kosovës për të ndërtuar edhe shkolla të reja, sapo Komuna ta gjejë ngastrën ku mund të ndërtohet godina e re.
Derisa ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi që kanë premtuar që rregullimi rrjetit të ujit të pijshëm do të jetë prioritet dhe se me ministrin Elbert Krasniqi po punojnë bashkërisht në realizimi e tij.
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi e quajti këtë ngjarje si moment shumë të mirë për t’u takuar me qytetarë dhe në të njëjtën kohë për të filluar punën në një projekt që vetë qytetarët e kanë kërkuar nga Qeveria dhe Qeveria është kujdesur që sot ta fillojë.
Sipas komunikatës, ai tha se do të angazhohen maksimalisht që të mbikëqyrin punët, të ketë punime të shpejta dhe të vijmë shpejt deri në përfundim të projektit.