Foto: KALLXO.com
Shoqata e Prokurorëve dënon kërcënimin ndaj prokurorit Muharrem Prekazi, të bërë, sipas saj, në seancë gjyqësore
Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar ndaj kërcënimeve të bëra, sipas saj, ndaj prokurorit të Prokurorisë së Mitrovicës, Muharrem Prekazit, gjatë një seance gjyqësore.
Përmes një reagimi, Shoqata shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurorit Prekazi gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare në seancë gjyqësore.
“Çdo formë e kërcënimit, presionit apo intimidimit ndaj prokurorëve për shkak të ushtrimit të funksionit të tyre kushtetues dhe ligjor paraqet cenim serioz të pavarësisë së sistemit prokurorial dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit” – thuhet në reagimin e Shoqatës.
Shoqata konsideron se siguria dhe integriteti i prokurorëve janë elemente esenciale për funksionimin e pavarur dhe efikas të sistemit të drejtësisë, andaj, siç thuhet më tej në reagim raste të tilla duhet të trajtohen me prioritet dhe seriozitet të plotë nga institucionet kompetente.
Njëkohësisht, Shoqata shpreh mbështetjen e plotë profesionale dhe institucionale për prokurorin Prekazi si dhe për të gjithë prokurorët të Kosovës, të cilët vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim, pavarësisht presioneve dhe sfidave me të cilat përballen.
Shoqata rithekson se do të vazhdojë të reagojë ndaj çdo veprimi që cenon pavarësinë, sigurinë dhe integritetin e prokurorëve në ushtrimin e funksionit të tyre kushtetues dhe ligjor.