Ministria e Bujqësisë publikon subvencionet e parapara për sektorët e bujqësisë në vlerë 77.5 milionë euro
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar shumën e subvencioneve që do të alokohen për sektorët e ndryshëm të bujqësisë në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2026.
Ministri në detyrë Armend Muja, më 30.04.2026 ka miratuar vendimin për Kornizat e Programit Vjetor 2026, me një buxhet prej 77.5 milionë euro për mbështetjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Muja ka njoftuar se programi i ri kombinon disa forma mbështetjeje, përfshirë pagesën bazë, pagesat e lidhura me prodhimin e kulturave prioritare, masat për stabilizimin e tregut, si dhe pagesën rishpërndarëse për hektarin e parë.
Një komponent i rëndësishëm i këtij programi thuhet se është edhe eko-skema, e cila synon promovimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe mbrojtjen e mjedisit.
Subvencionet e ndara në sektorë:
1. SIGURIA USHQIMORE DHE KULTURAT STRATEGJIKE
1.1 Drithërat
1.1.1 Gruri – Mbështetja standarde për grurin arrin në 304 €/ha, përmes pagesës bazë, masave për stabilizimin e tregut dhe mbështetjes për inpute bujqësore. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme. Përveç kësaj, fermerët përfitojnë pagesë shtesë prej 0.04 €/kg, bazuar në prodhimin dhe rendimentin e realizuar. Me një rendiment orientues prej 3,225 kg/ha, kjo përkthehet në rreth 129 €/ha mbështetje shtesë, duke e çuar mbështetjen totale potenciale deri në rreth 433 €/ha, pa përfshirë pagesën shtesë për hektarin e parë. Në kuadër të programit parashihet gjithashtu mbështetje specifike për prodhimin e farës së grurit, me qëllim forcimin e sigurisë ushqimore, rritjen e cilësisë së materialit mbjellës dhe zhvillimin e zinxhirit vendor të furnizimit me farë cilësore.
1.1.2 Misri – Mbështetja për misrin arrin në 329 €/ha, përmes pagesës bazë, mbështetjes për kultura strategjike, masave për stabilizimin e tregut dhe mbështetjes për inpute bujqësore. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme. Misri trajtohet si kulturë strategjike me rëndësi të veçantë për sigurinë ushqimore, furnizimin e industrisë ushqimore dhe sektorin blegtoral, duke pasur rol kyç në prodhimin vendor të ushqimit për njerëz dhe për kafshë.
1.1.3 Elbi, tërshëra dhe thekra – Mbështetja standarde për këto kultura arrin në 304 €/ha, përmes pagesës bazë, masave për stabilizimin e tregut dhe mbështetjes për inpute bujqësore. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme. Këto kultura mbështeten për shkak të rolit të tyre të rëndësishëm në furnizimin e sektorit blegtoral, diversifikimin e prodhimit bujqësor dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik të zonave rurale, duke kontribuar në qëndrueshmërinë e prodhimit vendor dhe sigurinë ushqimore.
1.2 Kulturat proteinike, vajore dhe industriale
1.2.1 Luledielli – Mbështetja për lulediellin arrin deri në 454 €/ha, duke përfshirë pagesën bazë, mbështetjen për kulturë strategjike, masat për stabilizimin e tregut dhe mundësinë për mbështetje në kuadër të konvertimit organik. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme. Luledielli mbështetet për shkak të rëndësisë në prodhimin vendor të vajrave ushqimore, diversifikimin e kulturave bujqësore dhe reduktimin e varësisë nga importet.
1.2.2 Fasulja – Mbështetja për fasulen arrin deri në 754 €/ha, duke kombinuar pagesën bazë, mbështetjen e lidhur me prodhimin, masat për stabilizimin e tregut dhe mbështetjen për inpute bujqësore. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse. Fasulja trajtohet si kulturë proteinike strategjike me rëndësi të veçantë për sigurinë ushqimore, zëvendësimin e importeve dhe rritjen e prodhimit vendor të produkteve me vlerë të lartë ushqyese.
1.2.3 Patatja – Mbështetja për pataten arrin deri në 754 €/ha, përmes kombinimit të pagesës bazë, pagesës së lidhur me prodhimin, masave për stabilizimin e tregut dhe mbështetjes për inpute bujqësore. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse. Patatja konsiderohet kulturë strategjike për furnizimin vendor me ushqim, stabilitetin e tregut dhe mbështetjen e prodhimit bujqësor me orientim tregu.
2. PERIMET, PEMËTARIA DHE VRESHTARIA
2.1 Perimet dhe prodhimi intensiv
2.1.1 Perimet në fushë të hapur – Mbështetja standarde për perimet në fushë të hapur arrin në 704 €/ha, përmes pagesës bazë, pagesës së lidhur me prodhimin dhe mbështetjes për inpute bujqësore. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme. Politika synon rritjen e prodhimit vendor, furnizimin më të qëndrueshëm të tregut dhe uljen e importeve sezonale të perimeve.
2.1.2 Perimet në serra – Mbështetja për prodhimin e perimeve në serra arrin në 1,054 €/ha, duke reflektuar nivelin më të lartë të investimeve, produktivitetit, intensitetit të prodhimit dhe punësimit në këtë sektor. Përfshihet edhe mundësia për 100 €/ha shtesë për hektarin e parë. Sektori i serrave konsiderohet prioritet strategjik për rritjen e prodhimit vendor gjatë gjithë vitit, modernizimin e bujqësisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve vendore.
2.2 Pemëtaria, vreshtaria dhe kulturat shumëvjeçare
2.2.1 Pemet drufrutore, arrore dhe fruta te imta manore –
Mbështetja për pemëtarinë arrin deri në 654 €/ha, duke përfshirë pagesën bazë, mbështetjen për inpute dhe mundësinë për mbështetje shtesë në kuadër të prodhimit organik dhe konvertimit organik. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse. Pemëtaria konsiderohet sektor me potencial të lartë eksporti, vlerë të shtuar dhe zhvillim afatgjatë rural.
2.2.2 Mjedra – Kultivuesit e mjedrës përfitojnë pagesë prej 0.20 €/kg për prodhimin e dorëzuar, si dhe mbështetje shtesë për sipërfaqen prej 150 €/ha. Për shkak të intensitetit të lartë të prodhimit, orientimit eksportues dhe vlerës së lartë tregtare, mbështetja totale për këtë kulturë mund të jetë dukshëm më e lartë se për kulturat tradicionale bujqësore. Sektori synon rritjen e eksporteve dhe forcimin e prodhimit me vlerë të shtuar.
2.2.3 Vreshtaria – Vreshtat mbështeten me 1,104 €/ha, përmes pagesës bazë, mbështetjes së lidhur me prodhimin dhe inputeve bujqësore. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë. Përveç mbështetjes për sipërfaqe, vera e prodhuar mbështetet me 0.08 €/litër, ndërsa fidanët e vreshtave me 0.15 €/njësi, me qëllim zhvillimin e industrisë së verës, modernizimin e vreshtarisë dhe rritjen e eksporteve të produkteve vendore.
2.2.4 Bimët mjekësore dhe aromatike – Mbështetja për bimët mjekësore dhe aromatike arrin deri në 504 €/ha, duke përfshirë pagesën bazë, mbështetjen për inpute dhe mundësinë për mbështetje shtesë për prodhim organik dhe konvertim organik. Përfshihet edhe mundësia për 100 €/ha shtesë për hektarin e parë. Ky sektor konsiderohet me potencial të lartë eksporti, diversifikimi ekonomik dhe zhvillimi rural, veçanërisht në zonat kodrinore dhe malore të Kosovës.
3. BLEGTORIA
3.1 Blegtoria bazë dhe riprodhimi
3.1.1 Lopët qumështore – Mbështeten me 90 €/kokë për të nxitur prodhimin vendor të qumështit dhe formalizimin e sektorit.
3.1.2 Mëshqerrat për riprodhim – Mbështeten me 60 €/kokë për të forcuar kapacitetet riprodhuese të fermave.
3.1.3 Viçat – Mbështeten me 30 €/kokë për zhvillimin e sektorit të mishit dhe ripërtëritjen e tufës.
Buallicat – Mbështeten me 180 €/kokë për ruajtjen dhe zhvillimin e këtij sektori specifik blegtoral.
3.1.4 Delet dhe dhitë – Mbështetja për delet dhe dhitë për mbarështim është 30 €/kokë, me fokus në zonat rurale dhe malore.
3.2 Shpezëtaria
3.2.1 Pulat dhe brojlerët – Pulat mbështeten me 0.50 €/kokë dhe brojlerët me 0.20 €/kokë, për të mbështetur prodhimin vendor të vezëve dhe mishit të shpezëve. Ky sektor mbështetet për shkak të rolit të rëndësishëm në furnizimin e tregut vendor me proteina shtazore dhe potencialit për rritje të prodhimit vendor.
3.3 Derrat
3.3.1 Dosat për riprodhim mbështeten me 25 €/kokë për stabilizimin e sektorit të derrtarisë, rritjen e prodhimit vendor dhe forcimin e kapaciteteve riprodhuese në fermat blegtorale.
4. CILËSIA DHE DIVERSIFIKIMI I PRODHIMIT
4.1 Cilësia dhe formalizimi i prodhimit të qumështit
Qumështi – Pagesa realizohet sipas klasës së cilësisë:
- 0.07 €/litër për Klasën Extra
- 0.04 €/litër për Klasën I
- 0.02 €/litër për Klasën II
Kjo skemë synon rritjen e cilësisë, formalizimit dhe standardeve të sigurisë ushqimore në sektorin e qumështit.
4.2 Bletaria
4.2.1 Bletaria – Kosheret mbështeten me 25 €/koshere, ndërsa bletaria organike me 30 €/koshere, duke mbështetur prodhimin vendor të mjaltit dhe biodiversitetin.
4.3 Akuakultura
4.3.1 Akuakultura – Prodhimi i peshkut mbështetet me 0.25 €/kg për të nxitur zhvillimin e akuakulturës dhe diversifikimin e ekonomisë rurale.