Prizren, pronarja e barnatores nuk ofron dëshmi për origjinën e barnave, iniciohet rast ndaj saj

Ndaj një gruaje, pronare e një barnatore në Prizren, janë iniciuar rastet ‘kontrabandim me mallra’, ‘tregti e ndaluar’ dhe ‘shmangie nga tatimi’.

Sipas Policisë, e njëjta gjatë inspektimit të barnatores nuk ka ofruar dëshmi për origjinën e një sasie të konsiderueshme të barnave.

Në njoftim thuhet se e dyshuara C.Y. (viti i lindjes 1991) është farmaciste.

Në këtë aksion, Inspektorati Farmaceutik ka sekuestruar barna në vlerë 3,200 euro.

“Sasia e barnave medicinale të sekuestruara është gjithsej 280 paketime të barnave të ndryshme medicinale, me origjinë nga Serbia, Shqipëria dhe Turqia, në vlerë prej 3200 (tre mijë e dyqind) euro”- thuhet në njoftim.

Tutje Policia ka njoftuar se me rekomandim të prokurorit kompetent, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.